
Çdo vit, të hënën e parë të majit, miliona njerëz ndjekin në ekranet e tyre momentin kur të famshmit ngjisin shkallët e Muzeut Metropolitan të New York-ut , në mbrëmjen që konsiderohet si nata më e madhe e modës. Nën drejtimin e “Vogue” dhe veçanërisht të Anna Wintour, hapja e ekspozitës pranverore të modës është shndërruar në një nga ngjarjet më të ndjekura në kalendarin e Hollywood-it, me mbi 1.2 miliardë shikime globale dhe mbulim total nga thuajse çdo lloj media.
Edhe pse shumica ndoshta janë më të interesuar të gjykojnë se kush i përmbahet temës së tapetit të kuq e kush jo, Met Gala në thelb është një mbrëmje bamirësie. (Gala e vitit 2025 arriti një rekord historik duke mbledhur 31 milionë dollarë.) Ky event ka ndihmuar gjithashtu në rritjen e interesit për ekspozitat e modës në përgjithësi: deri në mbylljen e saj në tetor 2018, ekspozita “Heavenly Bodies: Fashion and the Catholic Imagination” e Institutit të Kostumeve, e shtrirë në 25 galeri dhe dy godina të muzeut (Met Fifth Avenue dhe Met Cloisters), u bë më e vizituara në historinë e institucionit, me 1,659,647 vizitorë.
Moda ka qenë pjesë e muzeve që në fillesat e saj, edhe kur nuk kishte departamente të posaçme për të. Muzeu Victoria & Albert në Londër nisi të mbledhë veshje që në mesin e shekullit XIX; Musée des Arts Décoratifs në Paris gjithashtu ka përfshirë tekstile që në fillim. Në 1929, Muzeu i Bruklinit organizoi një ekspozitë me vizatime mode; ndërsa Instituti i Kostumeve në Met hapi ekspozitën e parë në 1946. Por, sipas shumë kuratorëve të fushës, një ekspozitë e vetme e ndryshoi rrënjësisht mënyrën se si trajtohej moda në muze.
![]()
“Ekspozita ‘Alexander McQueen: Savage Beauty’ krijoi një moment ku të gjithë u ndalën dhe menduan: “Ndoshta moda duhet marrë më seriozisht.”
Kjo ekspozitë, kuruar nga Andrew Bolton me ndihmën e Harold Koda në vitin 2011, u kthye në një sukses të jashtëzakonshëm, duke tërhequr mbi 661,000 vizitorë. “Savage Beauty” i dha formë një standardi të ri për ekspozitat e modës. McQueen kishte krijuar lidhje të forta me kulturën pop përmes bashkëpunimeve me yje të njohur dhe shfaqjeve të tij teatrale. Vdekja e tij në 2010 e bëri ekspozitën edhe më emocionuese. Ajo tregoi gjithashtu sesi teknikat si ndriçimi, muzika dhe skenografia mund të shndërrojnë një ekspozitë në një përvojë që do duash ta ndash në rrjete sociale.
Sipas Matthew Yokobosky, kurator i lartë i modës në Muzeun e Bruklinit, “ekspozitat e modës funksionojnë si narrativë kinematografike, ku çdo hapësirë është si një skenë filmi dhe ndjesia përforcohet nga fillimi në fund.” Moda, në ndryshim nga format e tjera të artit, prezantohet në mënyrë më dinamike, shpesh me zë, ndriçim dhe liri krijuese që format e tjera nuk e kanë.
Ekspozitat e modës gjithashtu krijojnë lidhje emocionale me figurat e njohura. Këto ekspozita janë kthyer në pikë hyrjeje për njerëz që ndoshta nuk do të vizitonin një muze ndryshe. Moda ofron një mënyrë për të diskutuar jo vetëm stilin, por edhe tema më të gjera si historia, kultura, përkatësia, madje edhe politika.
Sot, shumë muze të mëdhenj po i kushtojnë gjithnjë e më shumë hapësirë modës. Louvre në Paris organizoi ekspozitën e parë të modës në historinë e tij, duke nisur gjithçka me një festë glamuroze që ngjasonte me Met Gala-n. Edhe në Cleveland, moda po merr gjithnjë e më shumë hapësirë. Lisby ka kuruar ekspozita origjinale si “Egyptomania: Fiksimi i komplikuar i modës me Egjiptin” dhe së shpejti do të hapë “Renaissance to Runway”, ekspozitën më të madhe të modës ndonjëherë në këtë muze.
Ekspozitat e modës gjithashtu hapin diskutime që ndoshta nuk do të zhvilloheshin ndryshe në muze. Ndaj, nuk e teprojmë nëse themi se muzetë janë kthyer në pasarela.
