Culture

Ndryshon të gjithë konceptin e filmit: Teoria më e diskutuar për “The Substance”

 

The Substance” është një nga filmat horror më të çuditshëm të kohëve të fundit, dhe një teori interesante e fansave e bën edhe më tronditës. Filmi, mjaft i vlerësuar gjatë vitin 2024, me Demi Moore në rolin kryesor, rrëfen historinë e një aktoreje të moshuar që përdor një substancë misterioze për t’u rinuar. Përmes kësaj narrative, filmi kritikon seksizmin në Hollywood.

Në vend që të përdorë teknikën klasike të tmerrit, “The Substance” i qaset zhanrit në mënyrë ndryshe, përmes horrorit që lidhet me pamjen fizike (body horror), duke kombinuar efekte vizuale me një stil të veçantë kinematografik. Kjo qasje, ku tmerri përdoret si metaforë, është mjaft e përhapur në kinemanë moderne, por ky film shkon edhe më larg, duke eksploruar deri në fund idetë e tij komplekse dhe trilluese.

Ky lloj filmi, natyrisht, ka nxitur shumë diskutime dhe teori nga fansat që përpiqen të kuptojnë çfarë do të thotë në të vërtetë “The Substance”. Disa teori janë po aq të çmendura sa vetë filmi, ndërsa disa të tjera janë më të besueshme dhe mund të jenë reale. Një teori në veçanti e risjell komplet ndryshe mënyrën si e perceptojmë filmin, edhe pse nuk do të thotë që e bën atë më të mirë.

 

Teoria që sugjeron se i gjithë filmi zhvillohet në mendjen e Elizabeth

Në një postim në Reddit, përdoruesi Clear-Rest-988 ndan një teori që mund të ketë shumë kuptim. Ai shkruan: “Po sikur gjithçka të ndodhë në kokën e Elizabeth?” Më tej shpjegon: “Pas dozës së parë… Elizabeth bie pa ndjenja, ndoshta goditet në kokë, dhe pastaj përjeton këtë makth të çmendur.”

Sipas kësaj teorie, shumica e ngjarjeve në film janë thjesht një ëndërr para vdekjes. Elizabeth përjeton makthe intensive gjatë përdorimit të substancës, dhe frikërat e saj personale ndikojnë në mënyrën se si zhvillohet rrëfimi. Ajo është e vetëdijshme që do të zëvendësohet, prandaj ky ankth formëson gjithë rrjedhën e ëndrrës së saj.

Përdoruesi e mbështet këtë teori duke vënë në dukje se e gjithë mënyra se si perceptohet “The Substance” duket si një mashtrim. Filmi nuk jep shumë prova për ndonjë teori të caktuar, gjë që e bën këtë supozim edhe më të mundshëm.

Momenti kur Elizabeth dhe Sue janë zgjuar njëkohësisht mbështet këtë teori

Një detaj që përdoruesi i Reddit nuk e përmendi, por që në fakt e përforcon teorinë, është momenti kur Sue dhe Elizabeth janë zgjuar në të njëjtën kohë dhe ndërveprojnë me njëra-tjetrën. Kjo nuk duhet të jetë e mundur sipas rregullave që vendos vetë filmi, duke sugjeruar një gjendje të ngjashme me ëndrrën.

Meqë Sue dhe Elizabeth supozohet të jenë i njëjti person, ndarja e tyre fizike mund të shihet si një dëshmi që përforcon teorinë. Nëse gjithçka është një ëndërr e Elizabeth, atëherë nuk ka pse të ketë rregulla të qarta, logjika e ëndrrës i zë vendin realitetit.

Kështu, Sue mund të përfaqësojë të gjitha frikërat më të mëdha të Elizabeth dhe të marrë formë fizike. Gjërat bëhen më të ndërlikuara kur ajo duket sikur nuk ka dijeni për planin për ta eliminuar, çka sugjeron mungesën e lidhjes mes tyre. Kjo sërish mbështet teorinë e ëndrrës, gjithçka ndodh sipas logjikës së brendshme të mendjes së saj, jo rregullave të botës reale.

Ajo që e bën këtë teori edhe më interesante është se nuk ndryshon mesazhin që përcjell filmi. Meqë “The Substance” është një përvojë e çmendur që në fillim, teoria që “ishte thjesht një ëndërr” nuk e dobëson tematikën e thellë që eksploron. Rrëfimi është një udhëtim i brendshëm i Elizabeth, dhe kjo mbetet e pandryshuar.

Horrori është thjesht një shtresë sipërfaqësore për të përcjellë mesazhin mbi plakjen dhe seksizmin, dhe ky mesazh është po aq i fortë edhe nëse zhvillohet brenda një ëndrre. Nëse makthet e Elizabeth janë aq të tmerrshme, kjo flet shumë për ndjenjat dhe frikërat e saj të brendshme. Nëse ajo e sheh veten si një përbindësh në ëndërr, nuk ka nevojë të jetë e tillë edhe në realitet.

Megjithatë, nëse kjo teori është e vërtetë, do ta bënte “The Substance” një film horror më të dobët. Body horror mund të jetë i çuditshëm dhe grotesk, por ka nevojë për një fije realiteti që ta bëjë të frikshëm. Nëse rënia e Elizabeth është thjesht një ëndërr, atëherë kulmi tronditës i filmit humb efektin.

Gjithsesi, Demi Moore u nominua për çmimin “Aktorja më e mirë” në Oscar për këtë rol.