World

Grabitje në 7 minuta: Vidhet koleksioni i bizhuterve në muzeun e Luvrit

 

Disa persona hynë përmes një dritareje në Galerinë Apollo, vendi ku ruhen stolitë mbretërore franceze dhe morën objekte me vlerë, duke shënuar një ndër vjedhjet më të bujshme në muze.

Sipas ministrit të Brendshëm francez, Laurent Nuñez, grabitja zgjati vetëm shtatë minuta. Hajdutët përdorën një pajisje prerëse për të çarë vitrinat e ekspozitës, duke marrë bizhuteri të çmuara përpara se të largoheshin me motoçikleta.

Ata synuan dy vitrina me siguri të lartë që përmbanin bizhuteri nga koha e Napoleonit. U vodhën gjithsej nëntë objekte, një prej të cilave u gjet pranë vendit të ngjarjes, sipas autoriteteve vendase. Bizhuteritë përfshinin mijëra diamante dhe gurë të çmuar me vlerë të jashtëzakonshme.

Sipas Ministrisë franceze të Kulturës, ndër objektet e vjedhura ishin: një diademë, një varëse dhe një vath që i përkisnin setit të safirit të Mbretëreshave Marie-Amélie dhe Hortense. U morën gjithashtu një varëse dhe një palë vathë me smerald dhe diamante nga koleksioni i Perandoreshës Marie-Louise. Hajdutët grabitën edhe një brosh me diamante dhe diademën e Perandoreshës Eugénie, e cila përmban mbi 200 perla dhe gati 2,000 diamante.

 

 

Autoritetet thanë se autorët tentuan të merrnin edhe kurorën e Perandoreshës Eugénie, bashkëshortja e Napoleonit III, por ajo u gjet e dëmtuar pranë vendit të ngjarjes.

Fotografi të mëparshme tregojnë setin e bizhuterive të Mbretëreshave Marie-Amélie dhe Hortense në vitin 2020, pjesë nga të cilat u vodhën gjatë grabitjes.

Muzeu deklaroi se objektet e vjedhura kanë një vlerë të pallogaritshme trashëgimie dhe historike, përtej çdo vlere tregtare.

Presidenti francez Emmanuel Macron shkroi në rrjetin X:

“Grabitja e kryer në Luvër është një sulm ndaj trashëgimisë dhe historisë tonë.”

Personat që ndodheshin brenda muzeut më të vizituar në botë u evakuuan, ndërsa institucioni u mbyll për pjesën tjetër të ditës për të ruajtur provat.

Ministri Nuñez deklaroi për radion France Inter se objektet e vjedhura kishin një vlerë “të paçmueshme” dhe se grabitja ndodhi “shumë, shumë shpejt.” Sipas tij, autorët hynë nga jashtë përmes një dritareje, duke përdorur “një platformë të ngritur, të vendosur mbi një kamion.”

Këta ashensorë mekanikë përdoren gjerësisht në Paris për të transportuar mobilie në katet e sipërme të ndërtesave.