
Sa herë kemi qëndruar përpara rafteve me parfume duke u pyetur: çfarë i bën të ndryshme këto shishe nga njëra-tjetra?
Eau de parfum, eau de toilette, kolonjë… Të gjitha këto terma mund të duken pak konfuze, por në fakt, fshehin dallime të thjeshta që, kur i kuptojmë, na ndihmojnë të zgjedhim aromën që na përshtatet më mirë.
Sekreti qëndron te përqendrimi i vajrave esencialë. Sa më i lartë përqendrimi, aq më intensive dhe më jetëgjatë është aroma. Ja një përmbledhje e shkurtër e llojeve kryesore:
Parfum
Forma më e përqendruar dhe më e pasur e aromës. Zakonisht zgjat mbi gjashtë orë, me nota të thella dhe intensive si druri, ëmbëlsirat apo aromat pikante. Ideal për mbrëmje ose për ata që duan të lënë një përshtypje të paharrueshme.
Eau de Parfum (EDP)
Një zgjedhje e balancuar për përdorim të përditshëm apo për raste të veçanta. Zgjat rreth katër deri në gjashtë orë dhe notat e tij evoluojnë bukur gjatë gjithë ditës. Nëse kërkojmë një aromë me karakter, por jo shumë të rëndë, EDP është opsioni i duhur.
![]()
Eau de Toilette (EDT)
Më e lehtë dhe më diskrete. E përkryer për mëngjese, punë apo ditë të zakonshme. Nuk qëndron gjatë në lëkurë, por sërish është e këndshme dhe e lehtë si aromë. I përshtatet atyre që preferojnë nota të freskëta, lulesh ose pak pikante.
Eau de Cologne (EDC)
Kolonjat janë të freskëta, zakonisht me agrume dhe bimë aromatike. Nuk zgjasin shumë, por janë të shkëlqyera për ditë të nxehta vere apo për një prekje të shpejtë freskie gjatë ditës.
Eau Fraîche
Akoma më e lehtë se kolonjat, me përqendrim shumë të ulët të vajrave esencialë. Ideale për lëkurë të ndjeshme, për në palestër, plazh ose kur duam thjesht një aromë të freskët dhe delikate.
Vaj Parfumi
Për ata që preferojnë një përvojë më sensuale, me teksturë të butë që “shkrihet” me lëkurën. Aplikohen zakonisht në pikat e pulsit, zgjasin për shumë orë dhe japin një aromë më intime, por të thellë.
