
Ajo është shoqja që gjithmonë merr nismën për të propozuar daljen tonë të radhës në bisedën e grupit.
Bëhet fjalë për atë shoqe që telefonon restorantin për të rezervuar një tavolinë për katër, ose që na shkruan për të pyetur nëse fëmija ynë është shëruar nga gripi apo si shkoi intervista e punës.
Çdo grup shoqëror ka “nënën” e vet: atë anëtare që na mban të bashkuar, sepse, pa të, grupi ndoshta do të ishte shpërbërë. Jo se nuk e duam njëra-tjetrën, por sepse s’do të kishim kohën, vëmendjen, energjinë apo dhe ndjeshmërinë që ka ajo.
“Është një nga rolet më të zakonshme në miqësi,” thotë psikologia klinike Christina Ferrari në një artikull të botuar së fundmi në revistën Self. Edhe pse kontributi i saj shpesh mbetet në hije, mjafton që ajo të mungojë për pak, për shkak të ngarkesës në punë apo një problemi personal, dhe menjëherë kuptojmë sa e rëndësishme është për ne.
Po si ta dallojmë “nënën” e grupit tonë, apo nëse ndoshta jemi vetë ne ajo?
![]()
Revista Self përmend disa tipare të përbashkëta:
- Merr nismën për të organizuar çdo takim: Nuk mjaftohet duke thënë në mënyrë të paqartë “duhet të mblidhemi ndonjë ditë”, por e bën realitet. Gjen vendin ideal, barin apo restorantin e duhur, dhe kujdeset për çdo detaj, qoftë për një takim me tre persona apo një mbledhje me trembëdhjetë vetë.
- Është jashtëzakonisht e kujdesshme: I njeh nevojat tona edhe para se t’i kuptojmë vetë. Qoftë emocionale, qoftë praktike. Mund të sjellë me vete ushqime për të na ndihmuar në ndonjë udhëtim ku të gjithë të tjerët janë të papërgatitur, ose të na trokasë në derë pas një ndarjeje për të na përqafuar pa thënë asgjë.
- Një mike e palëkundur dhe e besueshme: Nëse kemi nevojë për të në orën 2 të mëngjesit, e dimë që do të jetë aty. Nuk do të hezitojë të sakrifikojë gjumin apo kohën e saj personale për të na mbështetur. Nuk e dimë çfarë do të bënim pa të.
- Kujdeset për sigurinë tonë: Ajo që na paralajmëron të mos ngasim makinën kur jemi të lodhura, të shkojmë te mjeku kur kemi temperaturë, apo të pimë pak ujë midis dy koktejve. Mund të na duket e bezdisshme në moment, por të nesërmen i jemi mirënjohëse.
Po si ia del? Si arrin ta mendojë gjithçka?
Sepse është “mami” e grupit, me gjithë dashurinë dhe fuqinë që sjell ky rol.
