
Muzeu i famshëm i Luvrit në Paris është rihapur të mërkurën, tre ditë pas një grabitjeje spektakolare që tronditi opinionin publik dhe mori vëmendjen e mediave në mbarë botën. Hajdutët arritën të largoheshin me disa nga bizhuteritë historike mbretërore më të çmuara, të vlerësuara në rreth 88 milionë euro (rreth 102 milionë dollarë).
Pamjet e transmetuara drejtpërdrejt nga Reuters TV dhe media të tjera ndërkombëtare treguan vizitorët duke hyrë për herë të parë në muze pas grabitjes së ndodhur të dielën në mëngjes.
Grabitja është përshkruar nga autoritetet si e guximshme dhe e organizuar me saktësi deri në detaje. Sipas të dhënave paraprake, hajdutët përdorën një ashensor mallrash për t’u ngjitur në katin e sipërm të muzeut dhe më pas hynë në sallë nga një dritare. Grabitësit vodhën bizhutëritë në vitrinat që përmbanin disa nga sendet më të rralla dhe më historikisht të rëndësishme të Francës, përfshirë diadema, gjerdanë me diamante, safire dhe smaragde nga periudha e shekullit XIX.
![]()
Grabitja ndodhi brenda pak minutash dhe, pavarësisht masave të sigurisë, autorët u larguan pa lënë asnjë gjurmë. Autoritetet franceze kanë nisur një hetim të thelluar, ndërkohë që muzeu qëndroi i mbyllur për tre ditë rresht për të lejuar hetuesit të kryejnë ekzaminimet e nevojshme në vendin e krimit.
Muzeu është tani i hapur për publikun, ndërsa hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve vijojnë.
