Lifestyle

Aftësia më e rëndësishme në marrëdhënie që askush nuk na e mëson

 

Në çdo lloj marrëdhënieje, qoftë ajo romantike, miqësore, familjare apo profesionale, ka momente kur ndiejmë shqetësim, zemërim ose lëndim. Diçka na prek, na nxit dhe na shtyn të reagojmë. Shpesh, reagimi ynë është automatik: të tërhiqemi, të sulmojmë apo të mbrohemi. Dhe sa më e afërt të jetë lidhja me tjetrin, aq më i fortë është reagimi.

 

Por çfarë do të ndodhte nëse, përpara se të themi apo të bëjmë diçka, thjesht ndalemi për një çast dhe mendojmë?

 

Kjo aftësi, të ndalemi përpara se të reagojmë, është ndoshta një nga mjetet më të fuqishme që kemi në marrëdhëniet tona. E megjithatë, është ndër më të pamësuarat. Askush nuk na mëson si të dallojmë mendimet që na pushtojnë, si ta ndajmë ndjesinë nga realiteti, apo si t’i japim vetes pak hapësirë për të kuptuar çfarë po ndodh brenda nesh.
Por pikërisht aty qëndron ndryshimi mes një konflikti që na largon dhe një konflikti që sjell mirëkuptim.

 

A mund të ndikojë kaq shumë një veprim i vogël, si ndalimi për disa sekonda për të reflektuar, në rrjedhën e një marrëdhënieje?

 

Po, absolutisht. Sepse në ato pak sekonda pauze, mund të pyesim veten:

 

“Çfarë më shqetëson realisht tani? A është me të vërtetë ajo që u tha, apo ka diçka më të thellë që më trazon?”

 

Duke e bërë këtë, mund të zgjedhim një mënyrë tjetër për të reaguar, jo nga dobësia, por nga vetëdija. Mendoni sa herë kemi lënduar dikë vetëm sepse reaguam në mënyrë impulsive. Ose sa herë kemi menduar se tjetri nuk na kupton apo nuk i intereson për ne, kur në të vërtetë ne kishim nevojë të ndanim diçka më të ndjeshme, më të thellë.

Të ndalemi nuk do të thotë të shtypim ndjenjat tona. Përkundrazi, do të thotë t’i japim vetes hapësirë që të shprehemi në mënyrë të sinqertë, jo të dhunshme apo impulsive, duke thënë edhe gjërat që nuk i mendojmë, vetëm për të lënduar palën tjetër.

 

Kur mësojmë të ndalemi, të vëzhgojmë dhe të kuptojmë çfarë ndiejmë dhe përse, ne ndërtojmë marrëdhënie më të shëndetshme dhe më të mbështetura në empati.
Prandaj, herën tjetër që ndiheni të acaruar dhe të tunduar të thoni diçka që mund të lëndojë, ndaloni. Merrni frymë thellë. Mendoni edhe një herë.
Sepse ndoshta, kjo pauzë e vogël mund të shmangë një krisje të marrëdhënies me dikë që ka rëndësi për ju.