Udhëzuesi për të gjetur parfumin ideal: Çfarë do të thotë “Eau de…”?

Sa herë kemi qëndruar përpara rafteve me parfume duke u pyetur: çfarë i bën të ndryshme këto shishe nga njëra-tjetra?


Eau de parfum, eau de toilette, kolonjë… Të gjitha këto terma mund të duken pak konfuze, por në fakt, fshehin dallime të thjeshta që, kur i kuptojmë, na ndihmojnë të zgjedhim aromën që na përshtatet më mirë.

 

Sekreti qëndron te përqendrimi i vajrave esencialë. Sa më i lartë përqendrimi, aq më intensive dhe më jetëgjatë është aroma. Ja një përmbledhje e shkurtër e llojeve kryesore:

 

Parfum

 

Forma më e përqendruar dhe më e pasur e aromës. Zakonisht zgjat mbi gjashtë orë, me nota të thella dhe intensive si druri, ëmbëlsirat apo aromat pikante. Ideal për mbrëmje ose për ata që duan të lënë një përshtypje të paharrueshme.

 

Eau de Parfum (EDP)

 

Një zgjedhje e balancuar për përdorim të përditshëm apo për raste të veçanta. Zgjat rreth katër deri në gjashtë orë dhe  notat e tij evoluojnë bukur gjatë gjithë ditës. Nëse kërkojmë një aromë me karakter, por jo shumë të rëndë, EDP është opsioni i duhur.

 

 

Eau de Toilette (EDT)

 

Më e lehtë dhe më diskrete. E përkryer për mëngjese, punë apo ditë të zakonshme. Nuk qëndron gjatë në lëkurë, por sërish është e këndshme dhe e lehtë si aromë. I përshtatet atyre që preferojnë nota të freskëta, lulesh ose pak pikante.

 

Eau de Cologne (EDC)

 

Kolonjat janë të freskëta, zakonisht me agrume dhe bimë aromatike. Nuk zgjasin shumë, por janë të shkëlqyera për ditë të nxehta vere apo për një prekje të shpejtë freskie gjatë ditës.

 

 

Eau Fraîche

 

Akoma më e lehtë se kolonjat, me përqendrim shumë të ulët të vajrave esencialë. Ideale për lëkurë të ndjeshme, për në palestër, plazh ose kur duam thjesht një aromë të freskët dhe delikate.

 

Vaj Parfumi

 

Për ata që preferojnë një përvojë më sensuale, me teksturë të butë që “shkrihet” me lëkurën. Aplikohen zakonisht në pikat e pulsit, zgjasin për shumë orë dhe japin një aromë më intime, por të thellë.

 

5 tendeca grimi të këtij sezoni që thyejnë çdo rregull

Po, është e vërtetë që ndryshimet më të mëdha që mund të bëni janë një manikyr në ngjyra të errëta si kafe apo bordo, ose një model i ri flokësh këtë sezon, por edhe grimi ka disa tendenca që “bërtasin” vjeshtë. 

 

Ja cilat janë disa prej tyre:

 

Buzë të errëta dhe të guximshme

Tendenca e ngjyrave të errëta nuk kufizohet vetëm te thonjtë, përfshin edhe buzët. Nuancat nude janë gjithmonë një zgjedhje e sigurt, por nuk ka asgjë më mbresëlënëse se sa buzët me ngjyrë të theksuar. Këtë vjeshtë, zëvendësoni të kuqen klasike me nuanca manaferrash apo kafe të errët. Një buzëkuq “bold” është mënyra më e shpejtë për t’i dhënë pamjes tuaj atmosferën e sezonit.

 

Vetullat

Pas ditëve të shkujdesura të verës, vetullat tuaja mund të kenë nevojë për një “refresh“. Këtë sezon, fokusi është tek forma natyrale, me një efekt të plotë dhe “fluffy”. Me një xhel transparent për vetulla, mund të krijoni një formë të rregullt që duket sikur kornizon fytyrën dhe thekson shikimin.

 

Qerpikë të dendur 

Qoftë me një grim të lehtë, qoftë me një smokey-eye, një ndryshim i vogël që bën shumë efekt është rimeli i theksuar. Ndryshe nga shtresat e lehta të verës dhe ngjyrat e buta si kafja e çelët, këtë sezon rikthehen qerpikët e zi, të dendur dhe voluminozë. Jepin gjallëri vështrimit tuaj.

 

Bronzer – ende i domosdoshëm

Ndoshta keni dëgjuar që pas verës duhet të lini bronzer-in dhe të kaloni tek konturimi. Por ky nuk është rregull fiks. Vjeshta kërkon tone të ngrohta dhe ngjyrime të lehta që e bëjnë lëkurën të duket rrezatuese. Bronzer-i është produkti ideal për ta arritur këtë, pa e bërë portretin të duket i zbehtë apo pa jetë.

 

Nuanca të reja për  blush-in

Kjo është periudha më e mirë për të ndryshuar ngjyrën e blush-it dhe për të dalë nga zona e rehatisë së rozës dhe pjeshkës. Provojeni një blush në ton “toasted” (si nuanca e kanellës), apo në nuanca të kuqe. Një blush më i theksuar është pa dyshim ylli i makeup-it këtë sezon.

 

Aftësia më e rëndësishme në marrëdhënie që askush nuk na e mëson

Në çdo lloj marrëdhënieje, qoftë ajo romantike, miqësore, familjare apo profesionale, ka momente kur ndiejmë shqetësim, zemërim ose lëndim. Diçka na prek, na nxit dhe na shtyn të reagojmë. Shpesh, reagimi ynë është automatik: të tërhiqemi, të sulmojmë apo të mbrohemi. Dhe sa më e afërt të jetë lidhja me tjetrin, aq më i fortë është reagimi.

 

Por çfarë do të ndodhte nëse, përpara se të themi apo të bëjmë diçka, thjesht ndalemi për një çast dhe mendojmë?

 

Kjo aftësi, të ndalemi përpara se të reagojmë, është ndoshta një nga mjetet më të fuqishme që kemi në marrëdhëniet tona. E megjithatë, është ndër më të pamësuarat. Askush nuk na mëson si të dallojmë mendimet që na pushtojnë, si ta ndajmë ndjesinë nga realiteti, apo si t’i japim vetes pak hapësirë për të kuptuar çfarë po ndodh brenda nesh.
Por pikërisht aty qëndron ndryshimi mes një konflikti që na largon dhe një konflikti që sjell mirëkuptim.

 

A mund të ndikojë kaq shumë një veprim i vogël, si ndalimi për disa sekonda për të reflektuar, në rrjedhën e një marrëdhënieje?

 

 

Po, absolutisht. Sepse në ato pak sekonda pauze, mund të pyesim veten:

 

“Çfarë më shqetëson realisht tani? A është me të vërtetë ajo që u tha, apo ka diçka më të thellë që më trazon?”

 

Duke e bërë këtë, mund të zgjedhim një mënyrë tjetër për të reaguar, jo nga dobësia, por nga vetëdija. Mendoni sa herë kemi lënduar dikë vetëm sepse reaguam në mënyrë impulsive. Ose sa herë kemi menduar se tjetri nuk na kupton apo nuk i intereson për ne, kur në të vërtetë ne kishim nevojë të ndanim diçka më të ndjeshme, më të thellë.

Të ndalemi nuk do të thotë të shtypim ndjenjat tona. Përkundrazi, do të thotë t’i japim vetes hapësirë që të shprehemi në mënyrë të sinqertë, jo të dhunshme apo impulsive, duke thënë edhe gjërat që nuk i mendojmë, vetëm për të lënduar palën tjetër.

 

Kur mësojmë të ndalemi, të vëzhgojmë dhe të kuptojmë çfarë ndiejmë dhe përse, ne ndërtojmë marrëdhënie më të shëndetshme dhe më të mbështetura në empati.
Prandaj, herën tjetër që ndiheni të acaruar dhe të tunduar të thoni diçka që mund të lëndojë, ndaloni. Merrni frymë thellë. Mendoni edhe një herë.
Sepse ndoshta, kjo pauzë e vogël mund të shmangë një krisje të marrëdhënies me dikë që ka rëndësi për ju.

Formula e re e vajzave franceze për | kombinimin xhaketë, xhinse dhe këpucë

Nga Le Marais në Montmartre, femrat pariziene po kombinojnë xhaketa të shkurtra me xhinse dhe këpucë të sheshta. Duket se ikonat e stilit të qytetit kanë lënë mënjanë xhaketat klasike dhe kanë “shpikur një formulë të re”. Me një prerje të mprehtë dhe të strukturuar, kjo siluetë ndihet moderne dhe jashtëzakonisht e rregullt, teksa ofron një elegancë të pakrahasueshme.

Dhe pastaj, sigurisht, këpucët. Akoma jo gati për çizmet, dhe aspak të interesuara për taka, çdo grua me stil në Paris po zgjedh këpucë të sheshta. Përfytyroni balerina të zeza elegante, Mary Janes me prekje klasike, apo mokasina prej lëkure. Megjithatë, elementi i përbashkët ishte i qartë: rehati dhe sofistikim.

Duke u larguar nga uniforma tradicionale e vajzës franceze: xhaketë, bluza e bardhë dhe pantallonat e shkurtra, kjo qasje e re duket perfekte për sezonin që sapo ka nisur. 

Për ta mbajtur këtë stil të freskët dhe të përshtatshëm, mjafton të zëvendësosh xhaketën me tweed me një version prej lëkure ose süede, të ndërronsh xhinset e gjera me modele më të drejta, dhe të alternosh mes balerinave dhe mokasinave. Formula mbetet elegante, çdo herë.

Rezultati? Yll!

Muzeu i Akademisë 2025: Paraqitjet më mbreslënëse në tapetin e kuq

Më 18 tetor, yjet më të njohur të Hollywood-it u mblodhën për të mbështetur ekspozitat e Muzeut të Akademisë, për të nderuar emrat më të mëdhenj të kinemasë dhe, sigurisht, për t’i dhuruar mbrëmjes një spektakël të paharrueshëm në tapetin e kuq. Edhe pse shpesh krahasohet me Met Gala-n, kjo ngjarje karakterizohet nga një kod veshjeje më i lirshëm, që u jep të ftuarve hapësirë për të shprehur krijimtarinë e tyre me paraqitje të veçanta.

 

Ndër të pranishmit spikatnin emra si Hailey Bieber, Kendall Jenner dhe Zoë Kravitz, të cilat zgjodhën veshje nga shtëpitë e tyre të preferuara të modës.

 

Vitin e kaluar, shumë të ftuar i qëndruan temës “natë në muze” duke u paraqitur me veshje vintage të rralla. Këtë vit, fokusi kaloi te moda bashkëkohore: Elle Fanning u shfaq me një veshje nga koleksioni Pranverë 2026 i Balenciaga-s, ndërsa Ayo Edebiri tërhoqi vëmendjen me një krijim nga koleksioni më i ri i Matthieu Blazy për Chanel.

 

Pas një sezoni intensiv sfilatash në New York, Milano dhe Paris, Gala e Muzeut të Akademisë shërbeu si platforma e përsosur për yjet që të mbështesin vizionet e reja të shtëpive të modës dhe të forcojnë imazhin e tyre personal. 

Disa nga paraqitjet më mbreslënëse të mbrëmjes:

 

Jenner dhe Hailey Bieber

Elle Fanning

Kaia Gerber

Selena Gomez

Zoë Kravitz

Penélope Cruz

Laura Dern

Kim Kardashian

Amanda Seyfried

Mikey Madison

Ayo Edebiri

Greta Lee

Monica Barbaro

Demi Moore

Jennifer Lopez: “Ish-partnerët e mi nuk ishin të zotët të më donin siç duhet”

Jennifer Lopez ishte së fundmi e ftuar në emisionin e Howard Stern, ku tema kryesore ishte, siç ndodh shpesh me të, jeta e saj romantike.

Lopez pranoi se të jesh në një marrëdhënie dashurie nuk është aspak e lehtë kur je në qendër të vëmendjes. Kur Stern e pyeti: “A mendon se të kanë dashuruar ndonjëherë vërtet?”, ajo ndaloi për pak çaste dhe fillimisht u përgjigj “jo”, por më pas tha “po”, ndërsa reflektonte mbi ndjenjat që kishte përjetuar ndër vite.

“Ajo që kam mësuar është se ata (ish-partnerët), nuk kanë qenë të aftë për të më dashur”, tha ajo.

Por cilët janë këta “ata”? Ja një vështrim mbi marrëdhëniet e Jennifer Lopez ndër vite:

Ojani Noa (1997–1998)

Lopez u martua me kamerierin kuban në fillimet e karrierës së saj, pak pasi u bë e njohur në filmin “Selena”. Më pas Noa u përpoq të publikonte një libër mbi lidhjen e tyre, por Lopez e paditim ndaj libri nuk e pa kurrë dritën e diellit.

Sean “Diddy” Combs (1999–2001)

Një nga lidhjet më të diskutuara të saj. Ata ishin shpesh në qendër të vëmendjes, veçanërisht pas një incidenti me armë zjarri në një klub nate ku u përfshinë Diddy dhe truproja e tij. Edhe pse Lopez u arrestua në fillim, akuzat ndaj saj u rrëzuan shpejt.

Më vonë ajo tregoi se tradhtia ishte arsyeja kryesore e ndarjes:

“Isha në një lidhje ku qaja çdo ditë. Nuk e dija më kush isha.”

Cris Judd (2001–2003)

Ish-balerini i saj u bë bashkëshorti i dytë. U njohën gjatë xhirimeve të klipit “Love Don’t Cost A Thing”. Judd tregoi më vonë se që në momentin e parë që e pa, ndjeu se ajo do të ishte gruaja e tij.

Martesa e tyre nuk zgjati shumë, dhe divorci u finalizua në vitin 2003.

Ben Affleck (2002–2004, 2021–2024)

Çifti i famshëm “Bennifer” u fejua për herë të parë në vitin 2002, por presioni mediatik e “mbyti” martesën dhe ata u ndanë në vitin 2004. Affleck vetë e ka quajtur më vonë këtë periudhë si një nga më të vështirat për të dy.

U ribashkuan në vitin 2021, u fejuan përsëri në 2022-shin dhe u martuan në Las Vegas.

Por në përvjetorin e dytë të martesës, Lopez paraqiti kërkesën për divorc.

Marc Anthony (2004–2014)

Pak muaj pas ndarjes nga Affleck, Lopez u martua me këngëtarin latin Marc Anthony. Bashkë ata sollën në jetë binjakët Emme dhe Max në vitin 2008. U ndanë në vitin 2011 dhe divorci u finalizua në vitin 2014.

Casper Smart (2011–2016)

Koreografi dhe balerini ishte një tjetër lidhje e gjatë për Lopez. Ata qëndruan bashkë për pesë vite, por nuk arritën të shkonin drejt martesës.

Smart ka folur gjithmonë me respekt për të:

“Ajo është e ëmbël, gazmore dhe me një shpirt të bukur. Nuk mund të kërkosh më shumë.”

Alex Rodriguez (2017–2021)

Duket se gjithçka po shkonte perfekt mes tyre, një çift simpatik, aktiv në rrjetet sociale dhe të angazhuar në projekte të përbashkëta. U fejuan në vitin 2019, por pas disa spekulimeve për ndarje, në prill 2021 konfirmuan se lidhja kishte marrë fun

Sipas tyre, funksiononin më mirë si miq.

Grabitje në 7 minuta: Vidhet koleksioni i bizhuterve në muzeun e Luvrit

Disa persona hynë përmes një dritareje në Galerinë Apollo, vendi ku ruhen stolitë mbretërore franceze dhe morën objekte me vlerë, duke shënuar një ndër vjedhjet më të bujshme në muze.

Sipas ministrit të Brendshëm francez, Laurent Nuñez, grabitja zgjati vetëm shtatë minuta. Hajdutët përdorën një pajisje prerëse për të çarë vitrinat e ekspozitës, duke marrë bizhuteri të çmuara përpara se të largoheshin me motoçikleta.

Ata synuan dy vitrina me siguri të lartë që përmbanin bizhuteri nga koha e Napoleonit. U vodhën gjithsej nëntë objekte, një prej të cilave u gjet pranë vendit të ngjarjes, sipas autoriteteve vendase. Bizhuteritë përfshinin mijëra diamante dhe gurë të çmuar me vlerë të jashtëzakonshme.

Sipas Ministrisë franceze të Kulturës, ndër objektet e vjedhura ishin: një diademë, një varëse dhe një vath që i përkisnin setit të safirit të Mbretëreshave Marie-Amélie dhe Hortense. U morën gjithashtu një varëse dhe një palë vathë me smerald dhe diamante nga koleksioni i Perandoreshës Marie-Louise. Hajdutët grabitën edhe një brosh me diamante dhe diademën e Perandoreshës Eugénie, e cila përmban mbi 200 perla dhe gati 2,000 diamante.

Autoritetet thanë se autorët tentuan të merrnin edhe kurorën e Perandoreshës Eugénie, bashkëshortja e Napoleonit III, por ajo u gjet e dëmtuar pranë vendit të ngjarjes.

Fotografi të mëparshme tregojnë setin e bizhuterive të Mbretëreshave Marie-Amélie dhe Hortense në vitin 2020, pjesë nga të cilat u vodhën gjatë grabitjes.

Muzeu deklaroi se objektet e vjedhura kanë një vlerë të pallogaritshme trashëgimie dhe historike, përtej çdo vlere tregtare.

Presidenti francez Emmanuel Macron shkroi në rrjetin X:

“Grabitja e kryer në Luvër është një sulm ndaj trashëgimisë dhe historisë tonë.”

Personat që ndodheshin brenda muzeut më të vizituar në botë u evakuuan, ndërsa institucioni u mbyll për pjesën tjetër të ditës për të ruajtur provat.

Ministri Nuñez deklaroi për radion France Inter se objektet e vjedhura kishin një vlerë “të paçmueshme” dhe se grabitja ndodhi “shumë, shumë shpejt.” Sipas tij, autorët hynë nga jashtë përmes një dritareje, duke përdorur “një platformë të ngritur, të vendosur mbi një kamion.”

Këto ashensorë mekanikë përdoren gjerësisht në Paris për të transportuar mobilie në katet e sipërme të ndërtesave.

9 gjëra që klasa e mesme blen, por të pasurit e vërtetë i shmangin

Në botën e konsumit modern, shpesh duket sikur “suksesi” matet me mënyrën si shfaqemi, jo me atë që zotërojmë në të vërtetë. Por pas një vëzhgimi më të thellë, bëhet e qartë se zakonet e shpenzimit të klasës së mesme dhe të pasurve ndryshojnë rrënjësisht. Nuk ka të bëjë vetëm me sa para ke, por me mënyrën si i përdor ato.

 

Më poshtë janë 11 lloje shpenzimesh që klasa e mesme shpesh i konsideron si domosdoshmëri apo simbole statusi, ndërsa të pasurit e vërtetë i shmangin.

 

1.Makina luksoze të reja

 

Një makinë luksoze e re është si një investim që humb vlerë sapo del nga  ‘showroom’-i.

 

Të pasurit nuk bien pre e kësaj loje, përveç nëse janë pasionantë të makinave. Ata preferojnë modele të përdorura. Ose thjesht zgjedhin makina të thjeshta dhe të besueshme, teksa investojnë diferencën në asete që shumëfishojnë vlerën.

 

2. Rroba me logo

 

Klasa e mesme blen logon. Të pasurit blejnë materialin.

 

Ata njohin rëndësinë e pambukut cilësor, leshit të mirë dhe prerjeve që i rezistojnë kohës. Nuk ka nevojë për emra të mëdhenj që bërtasin nëpër rroba. Kur blejnë markë të njohur, zgjedhin pjesë klasike që mbahen për dekada, jo një xhaketë me monogram që del nga moda sezonin tjetër.

 

3. Abonime që harrohen

 

Tre platforma streaming që nuk i hap kurrë. Katër aplikacione fitnesi. Kjo është rrjedhje e vazhdueshme parash.

 

Të pasurit rishikojnë abonimet çdo tre muaj dhe mbajnë vetëm ato që kursejnë kohë, përmirësojnë shëndetin, ose sjellin kënaqësi reale. Pjesa tjetër eliminohet. Një test i thjeshtë: nëse nuk kujton dot herën e fundit që e ke përdorur një aplikacion, atëherë po humbet para kot.

 

4. Rinovime kuzhine për t’ia rritur vlerën në treg

 

Të gjithë duam një kuzhinë të bukur, por edhe më shumë duam që ajo të përdoret vërtet për gatim.

 

Klasa e mesme shpenzon 60,000 dollarë për një “makeover”, pastaj porosit ushqim katër herë në javë. Të pasurit rinovojnë sipas nevojave të jetës së tyre: ndriçim më i mirë, hapësira praktike, sobë cilësore nëse gatuajnë vetë, materiale që ia vlejnë.

 

Funksionaliteti sjell kthimin më të mirë të investimit, jo pllakat e murit që janë në modë vetëm për një sezon.

 

5. Pajisje kuzhine për një funksion

 

Pajisje për një funksion të vetëm që mbushin kuzhinën kot.

 

Të pasurit zgjedhin disa mjete cilësore, me shumë funksione, një thikë profesionale, enë të mira, funksionale dhe aq. 

 

6. Telefona të rinj çdo vit

 

Kamerë e re, jetë e njëjtë. Klasa e mesme ndjek kalendarin e marketingut. Të pasurit e ndërrojnë telefonin vetëm kur nuk është më funksional.

 

Shpesh një bateri e re, pastrim nga aplikacionet e panevojshme dhe pak kujdes rikthen shpejtësinë e telefonit. Ato 1000 dollarë? Më mirë investojini në gjëra më fitimprurëse.

 

7. Shpenzime të tepërta

 

Klasa e mesme ndjek oferta me kredi për të përfituar pikë, pastaj ngec në borxhe. Të pasurit kanë 1 ose 2 karta premium të përshtatura me shpenzimet reale dhe i paguajnë plotësisht çdo muaj.

 

8. Pushime dhe dasma të financuara me kredi

 

Kujtimet janë të paçmueshme, derisa të vijë fatura me interes.

 

Klasa e mesme financon udhëtime dhe dasma me justifikimin “e meritojmë”. Të pasurit planifikojnë herët, kursejnë ngadalë dhe i përshtatin ëndrrat me buxhetin real. Ka një luks të heshtur në pushimet e paguara: bën qejf pa frikë.

 

9.Mobilje në modë dhe dekor që ndryshon çdo sezon

 

Të pasurit zgjedhin forma klasike, materiale të qëndrueshme si druri i vërtetë dhe baza neutrale. Personalitetin e shtojnë me art dhe tekstile që mund të ndryshohen pa shumë lodhje.

 

Më mirë të riparosh një mobilje cilësore sesa të blesh një të dobët. E njëjta logjikë si në biznes: bërthamë e fortë, fleksibilitet në detaje.

Nëse po të bien flokët më shumë se zakonisht, duhet të lexosh këtë artikull

E kemi vënë re përsëri. Kur lajmë ose krehim flokët, na mbeten shumë qime në duar ose në furçë. Instinkti ynë na thotë të shqetësohemi, por e vërteta është se kjo “humbje” sezonale është shumë më normale nga sa e imagjinojmë. Pra, nëse në muajt e fundit kemi ndjerë sikur flokët na janë rralluar pak më shumë, ndoshta është thjesht rënia.

Në fakt, nuk është rastësi. Ndryshimet e stinëve, veçanërisht kalimi nga vera në vjeshtë, ndikojnë në ciklin jetësor të flokëve tanë. Gjatë verës, folikulat e flokëve “mbajnë” më shumë flokë për të mbrojtur skalpin e kokës nga dielli. Por, ndërsa vjeshta fillon, shumë prej këtyre flokëve hyjnë në fazën e rënies së tyre. Dhe kjo rënie mund të bëhet mjaft e dukshme.

Nuk po flasim domosdoshmërisht për rënie serioze të flokëve. Në shumicën e rasteve, është një gjendje e përkohshme. Flokët tanë thjesht “ndryshojnë stinët”, njësoj siç bëjmë me rrobat dhe humorin tonë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që nuk mund të kujdesemi më mirë për flokët tanë gjatë kësaj periudhe kalimtare.

Hapi i parë është hidratimi. 

Sezoni i vjeshtës dhe dimrit, plot lagështi, than si lëkurën ashtu edhe flokët tanë. Nëse kësaj i shtojmë nxehtësinë nga tharësja e flokëve ose pjastër/mashë, kemi një “recetë” të përsosur për maja dyshe dhe flokë të brishtë. Pra, duhet ta rrisim kujdesin me maska, vajra dhe produkte hidratuese që mbrojnë nga nxehtësia.

Ushqyerja është po aq e rëndësishme. Vitaminat si D, zinku, hekuri dhe sigurisht proteinat ndihmojnë në rritjen e flokëve. Nëse mendoni se dieta juaj nuk po ju jep gjithçka që ju nevojitet, mund të shtoni një suplement ushqimor.

Gjithashtu nuk harrojmë rëndësinë e kujdesit të duhur për flokët. Duhet të përdorim krehër me “dhëmbë” të gjerë, të shmangim krehjen e flokëve kur janë të lagur dhe modelet “slick”.

Sigurisht, të mos harrojmë rolin e stresit. Kthimi në jetën e përditshme pas pushimeve shpesh shoqërohet me rritje të ankthit, i cili madje mund të ketë ndikim në ciklin e flokëve. 

Sidoqoftë, nëse vërejmë rënie të fortë të flokëve ose zona boshe, është mirë të konsultohemi me një dermatolog. Ndonjëherë, rënia e flokëve mund të lidhet me diçka më komplekse, siç janë ndryshimet hormonale ose mungesa e vitaminave, dhe është e rëndësishme të bëhet një diagnozë profesionale.

Gjëja kryesore është të mos na zërë paniku. Trupi ynë e di se çfarë po bën dhe, shumicën e kohës, rënia sezonale e flokëve është pjesë e atij cikli. Nëse i kushtojmë vëmendjen dhe kujdesin që i nevojitet, flokët tanë do të rriten përsëri, ndoshta edhe më të fortë se më parë.

Nëse keni miq kokëfortë, me siguri i përkasin njërës nga këto 4 shenja

Nëse ndonjëherë ke takuar dikë aq intimidues sa të dukej paksa i frikshëm, por njëkohësisht aq i besueshëm sa do t’ia lije jetën në dorë pa hezitim, ka shumë gjasa të ketë qenë një nga këto 4 shenja.

Më poshtë do të flasim pikërisht për shenjat fikse: Demi, Luani, Akrepi dhe Ujori. Edhe pse në pamje të parë mund të duken shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri, këto katër shenja kanë më shumë të përbashkëta sesa mund të mendohet.

Demi 

Shenja e dytë e zodiakut, që vjen pas Dashit dhe përfaqëson mesin e pranverës. Përfaqësuar nga Demi, kjo shenjë njihet për etikën e fortë të punës, qasjen praktike ndaj jetës dhe natyrën e saj të vendosur (në rastin më të mirë) apo kokëfortë e dembele (në rastin më të keq). Si një shenjë toke e sunduar nga planeti i Afërditës, Demi ka një shije të hollë për gjërat e bukura dhe luksoze të jetës: veshjet cilësore, ushqimet e shijshme dhe çdo gjë që e kënaq.

Luani

Përfaqësues i kulmit të verës dhe sunduar nga Dielli, Luani është mbretëresha apo mbreti i zodiakut. Plot besim, karizëm dhe pasion, Luanët janë ambiciozë dhe e bëjnë çdo gjë me stil. E duan vëmendjen, por janë gjithashtu bujarë, të ngrohtë dhe zakonisht shumë miqësorë. Ndërkohë që shfaqin vetëbesim dhe krenari, ata kanë një anë tradicionale që vlerëson stabilitetin dhe besnikërinë.

Akrepi 

Akrepi përfaqëson mesin e vjeshtës dhe ka gjithmonë atë atmosferën misterioze të sezonit të errët. I sunduar nga Plutoni, planeti i transformimit dhe rilindjes, Akrepi është shenja që përballon emocionet më të thella dhe më të errëta. Si shenjë uji, është shumë intuitiv dhe emocional, por ndonjëherë mund të ngecë në ndjenja obsesive, posesive apo xheloze. Megjithatë, në anën e tij më të mirë, Akrepi është krijues, pasionant dhe i aftë të përballet me çdo sfidë  me guxim.

Ujori

Ujori është shenja që mbyll këtë katërshe dhe përfaqëson mesin e dimrit. I sunduar nga Urani, planeti i revolucionit dhe inovacionit, Ujori është ndoshta më shenja më unike nga të gjitha. Ka një mendje të hapur, shpesh e çuditshme për të tjerët, por gjithmonë në kërkim të përparimit dhe ndryshimit. Si shenjë ajri, është intelektual dhe analitik, por natyra fikse i jep një kokëfortësi të papritur. Ujori është progresist, por nuk lëshon pe kollaj, çka e bën ideal për të nisur ndryshime reale në botë.