
Dëshironi një udhëtim, por nuk prisni dot deri në fund të vitit? Zgjidhja qëndron te destinacionet ideale për këtë periudhë.
Dëshira për t’u larguar nga rutina është e madhe dhe udhëtimet dimërore me borë e ski duken të largëta, ndaj në këtë situate nevojitet një pushim disaditor.
Kemi 3 ide:
Pak Bosfor
![]()
Stambolli është destinacioni ideal për udhëtime në vjeshtë, pa turmat e zakonshme të turistëve. Eksploroni tregjet vendase, provoni gatimet tradicionale dhe shëtisni përgjatë Bosforit, duke e lejuar shikimin të humbasë në qiellin e kaltërt dhe pulëbardhat e detit.
Sigurohuni që të vizitoni Muzeun e Pafajësisë, i bazuar në romanin e njohur të shkrimtarit turk Orhan Pamuk, fitues i Çmimit Nobel. Për akomodim ekonomik, zgjidhni lagjet Şirinevler dhe Bahçelievler, zona studentore jo shumë larg nga qendra e qytetit. Për më tepër, Stambolli është i përshtatshëm për një udhëtim tre-ditor me buxhet të ulët, me ushqim të shijshëm dhe shëtitje të pafundme në Galata, Istiklal dhe Fanari, gjithçka pa shpenzuar shumë, nëse keni dëshirë të ecni dhe të provoni ushqime të shpejta në rrugë (që në Stamboll gjeni pafund).
Një arratisje në Sofje
![]()
Bullgaria tërheq shumë vizitorë për vendpushimet e skive dhe plazhet e saj, por kryeqyteti ka shumë për të ofruar, qoftë për udhëtime me miq apo udhëtarë vetëm. Sofja është një qytet me histori 7,000-vjeçare, me kulturë të pasur dhe jetë nate të gjallë, perfekt për të vizituar bare pa shpenzuar shumë. Zona më e mirë për të qëndruar është rreth zonës së Serdikës. Shëtisni përgjatë rrugëve të gjera për këmbësorë dhe shijoni ndërthurjen mes të vjetrës dhe modernes në qytet.
Gjirokastra jonë
![]()
Gjirokastra, qytet muze dhe Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, është një perlë e vërtetë e Shqipërisë. Me kalldrëmet, shtëpitë karakteristike me çati guri dhe kështjellën që na rilidh me rrënjët tona, Gjirokastra ofron një gërshetim të pashoq mes historisë dhe asaj që jemi sot.
Shijoni ushqimin tradicional në restorantet e vogla familjare, aromën e oxhaqeve dhe mos harroni të vizitoni shtëpinë muze të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare.
Në fund të vjeshtës, qetësia dhe atmosfera e këtij qyteti ofron atë që na nevojitet për t’u larguar nga zhurma e përditshme.



