
Kur e kam dëgjuar për herë të parë emrin e saj, më ka lënë mbresa, pasi është i frymëzuar nga “Jerina ase Mbretnesha e Luleve”, vepër e Gjergj Fishtës, në të cilën kam lexuar mbi një heroinë që frymon besim dhe vlera. Vite më vonë, besova se shprehja latine “Nomen est omen” (“Emri është një shenjë”) është e vërtetë. Këtë besim e përforcova kur e takova nga afër dhe e kuptova se jeta e saj pati fazat e një luleje, çeli dhe sot, lulëzon plot jetë!
Jerina Lalaj është një emër i njohur në tregun shqiptar, fatmirësisht, për kreativitetin dhe qasjet unike që ka sjellë. Në fillim të 2010-ës, kur u kthye në Shqipëri nga Spanja, solli jo vetëm profesionalizmin, mendësinë dhe standardet europiane në mediet e asaj kohe, por edhe atë energjinë solare që shumëkush e kërkonte. Sigurisht, atëherë mendoja se ajo kishte një influencë spanjolle për shpirtin e lirë dhe dëshirën për të shpërndarë kudo rreze drite, por sot, pas 15 vitesh, e kuptoj se ai diell është thjesht pjesë e karakterit të saj.
Jeri ka një energji të jashtëzakonshme dhe është “beauty & brains”, bionde, me vetëbesim dhe një ndër personat më të rëndësishëm në arritjet e shumë figurave publike të fushave të ndryshme, që prej artit e deri te biznesi. Në këndvështrimin tim, them se në këto arritje nuk kanë gisht vetëm profesionalizmi dhe përvoja e saj, por mbi të gjitha, kimia e paparë dhe energjia që veç ajo mund të sjellë.
Por, mbi të gjitha, është vizionare dhe pionere në një prej industrive që në atë epokë as nuk imagjinohej: Marrëdhënia me publikun! Jerina themeloi JL Consulting, studioja e parë pionere e PR të mirëfilltë në Shqipëri, e cila vendosi frymën e re për kompanitë e tjera që ndoqën shembullin e saj. Që në krye të herës, u kujdes për imazhin mediatik të VIP-ave, për strategjitë e bizneseve dhe marketingun, si dhe eventeve profesionale, duke çelur një dritare të re komunikimi për Shqipërinë. Fuqia e PR është e jashtëzakonshme, ndaj shumë persona dhe kompani të famshme në vend i japin meritat e tyre asaj, si një grua që definoi mënyrën se si publiku i sheh.
Në këtë intervistë ekskluzive që përkon me rigjallërimin e STORY-t, mund të them se jam e emocionuar të përshfaq një tjetër anë të saj, një rikthim të sajin te kujtimet, rrënjët dhe një reflektim mbi të tashmen.
Pjesë nga intervista:
Jerina, mendo sikur je përballë vetes; çfarë sheh?
Shoh një grua që ka jetuar intensivisht, ka dashur fort, ka kaluar stuhi, por nuk e ka humbur dritën. Një grua që shpesh është dashur të bëhet e fortë edhe kur s’kishte dëshirë, por që sot e di që pikërisht kjo e ka bërë të lirë.
Ti pate një rrugëtim domethënës në Spanjë dhe më pas, u riktheve në vendin tënd. A do ta gjykoje veten për këtë vendim? Ishte e vështirë përshtatja në Spanjë e më tej, në Shqipëri?
Jo, përkundrazi. Spanja do jetë një ndjesi shtëpie për mua. Rikthimi ishte sfidë dhe dhimbje në fillim, sepse çdo rikthim sjell krahasime. Por falë atij vendimi, unë mësova të vlerësoj rrënjët e mia. Spanja më dha horizont; Shqipëria më dha forcën për t’u rritur.
A ka diçka në jetën tënde që do të doje ta bëje ndryshe? Pse?
Shquhem për njeri me ide të qarta. Ndoshta do të kisha dashur të isha më e butë me veten. Shumë herë kam qenë gjykatësja më e ashpër e vetes sime. Kritike me veten dhe bujare me të tjerët. Nuk kam qenë njeri kompromisesh dhe kjo qasje i ka faturat e larta në kohët që jetojmë. Por, edhe kjo pjesë e ka ndërtuar Jerinën që shihni sot.
Ti je një grua e pavarur, e fortë, ke ecur vetë në shtigje të panjohura, por gjithsesi, unë mendoj se askush nuk jeton dot pa dashurinë. Ndaj, rrjedhimisht dua të di këndvështrimin tënd për këtë ndjesi; cila është trajta e saj për ty?
Trajta e dashurisë për mua është si pafundësia e bashkimit të qiellit dhe detit në horizontin blu. Dashuria nuk është gjithmonë zjarr; përkundrazi, për mua është dritë. Është prania e njerëzve të mi që më mbajnë të dashuruar me jetën edhe kur vetë nuk kam energji. Është gjithçka që të jep kuptim, është adrenalinë, ndjesi fantastike, qoftë në marrëdhënie intime, në familje, apo edhe në punë.
A ke ti një listë me prioritetet dhe me gjërat që kanë më shumë rëndësi në jetën tënde? Nëse po, mund t’i rendisësh?
Patjetër që e kam dhe jam shumë tradicionale! Shëndeti dhe paqja ime shpirtërore janë të paçmueshme. Njerëzit e mi të dashur. Krijimtaria dhe puna. Liria ime për të zgjedhur, për të thënë “jo”, për të mos u përshtatur kur nuk është e duhura.