Takimi i parë? 5 gjëra që duhet të bësh që prindërit e tij të të pëlqejnë

 

Festat po afrojnë dhe ka më shumë mundësi të takosh prindërit e tij.

 

Mos u streso! Psikoanalistja Jane Reardon ka ndarë disa këshilla se çfarë duhet shmangur që takimi me prindërit e tij të shkojë sa më mirë dhe pa probleme.

 

Mos i tako shumë herët

Mos nxito! Jepi vetes pak kohë dhe hapësirë. Njohja me prindërit shumë herët mund të krijojë një atmosferë të sikletshme dhe jo shumë të rehatshme, sipas Jane. 

 

“Varet sa serioze është marrëdhënia për të dyja palët, por duhet të paktën të keni kaluar 6 muaj bashkë.”

 

Mos u përpiq të bësh gjithçka vetë

Nëse ndihesh e stresuar, bisedo me partnerin. Ai dëshiron që familja e tij të të pëlqejë, prandaj qëndro pozitive. Pyete atë për familjen e tij, çfarë u pëlqen atyre dhe çfarë jo. 

 

“Sjellja e mirë rrit mundësinë që ata të të pëlqejnë,” shpjegon Jane.

 

Zgjidh veshjet e duhura për rastin

Ndonëse mund të jesh ndjekëse e mirë e modës, nervozizmi mund të krijojë pasiguri. Qëndro e qetë, por (patjetër që ka një por në këtë situatë), mos tepro me funde të shkurtra apo bluza me dekolte.

 

Shmang bisedat që mund të shkaktojnë debate

Gjëja më e keqe që mund të ndodh është një keqkuptim apo debat. Nuk po themi të qëndrosh pa folur, por përpiqu të flasësh për tema të thjeshta, sidomos në fillim. 

Lejo që ata të tregojnë histori nga fëmijëria e djalit të tyre, kjo është një temë e sigurt dhe prindërit e duan.

 

Ji vetvetja

Në fund të fundit, je në lidhje me partnerin tënd, jo me prindërit e tij. Nëse ai të ka ftuar t’i takosh, është për një arsye të mirë. Beso në këtë dhe mbi të gjitha, besoji vetes. Qetësohu dhe, për të mirën e përbashkët, mos shko me duar bosh!

Je ndarë dhe nuk e nxjerr heq nga mendja? 10 mënyra si ta harrosh njëherë e mirë!

 

A e keni vënë re se kur dikush na lëndon apo na ofendon, nuk e harrojmë lehtë atë që tha apo bëri?
 

Kur dikush na zhgënjen, flet pas shpine apo bën diçka që na prek, shpeshherë e ripërjetojmë atë situatë për orë të tëra. E njëjta gjë ndodh edhe kur një marrëdhënie merr fund, ngecim në të shkuarën, duke e kthyer kokën pas herë pas here.

 

Por kërkimet tregojnë se kur rikthehemi vazhdimisht te mendimet dhe kujtimet e dhimbshme, i shkaktojmë trupit tonë stres dhe tension të panevojshëm.

 

Si mund të ndalojmë së menduari për dikë, për çfarë ndodhi, për çfarë mund të kishim bërë ndryshe, kur të njëjtat mendime “pushtojnë” mendjen tonë?

 

Donna Jackson Nakazaëa, studiuese dhe autore e njohur në fushën e shëndetit dhe marrëdhënieve, ndan 10 hapa të thjeshtë për të na ndihmuar të harrojmë dikë dhe të ecim përpara.

 

1. Zbato rregullin “pa kontakt”

Populli thotë: “Larg syrit, larg zemrës.” Dhe ekspertët e mbështesin këtë. Kur nuk komunikon më me dikë, nuk i jep më hapësirë në mendimet e tua. Kjo është ndër gjërat më të shëndetshme që mund të bësh për veten.

 

2. Koha shëron

Po, mund të duket si klishe, por është e vërtetë. Jepi vetes kohë për të përpunuar ndjenjat. Ne shpesh reagojmë impulsivisht, pa reflektuar. Merr frymë thellë, prit pak, dhe lejoje kohën të bëjë punën e saj.

 

3. “Zhduke” nga bota virtuale

Nuk ke pse të mbyllesh ti rrjetet sociale, por mjafton të heqësh personin tjetër.

Nëse vazhdon të shohësh postimet e tij/saj, do të jetë shumë më e vështirë të ecësh përpara. Fshij mesazhet, fotot apo bisedat. 

 

4. Fillo një hobi të ri

Ose rikthehu te një pasion i vjetër. Aktivitetet e reja janë një mënyrë e shkëlqyer për ta mbajtur mendjen të zene dhe për të mësuar më shumë për veten. Qoftë një kurs, një sport apo art, është një investim i vlefshëm.

 

 

5. Prano që e kaluara nuk ndryshohet

Mund të analizosh pafund se çfarë mund të kishe bërë ndryshe, por realiteti nuk ndryshon. E vetmja gjë që mund të bësh, është të mësosh prej saj.

Prandaj, fokusohu te sotmja dhe planifiko të ardhmen me mençuri.

 

6. Fal, për veten tënde

Falja nuk bëhet domosdoshmërisht për tjetrin, por për ty. Ajo sjell lehtësim, paqe dhe të ndihmon të ecësh përpara. Kur fal, nuk do të thotë se harron, por nuk lejon më që dhimbja të të kontrollojë.

 

7. Prano ndjenjat e tua

Zemërimi, trishtimi, zhgënjimi janë normale. Mos i shtyp. Përjetoji. Shkruaji në një ditar, fol me një mik të besuar, bëj një shëtitje të gjatë. Pasi t’i ndjesh dhe t’i pranosh, do t’i përpunosh dhe do të jesh më i/e lirë prej tyre.

 

8. Meditimi funksionon

Ndoshta duket i thjeshtë, por meditimi të ndihmon të kuptosh dhe të menaxhosh emocionet. Imagjino veten në një oqean, duke parë mendimet si valë që vijnë dhe ikin. Bluja e detit të ndihmon të rikthesh kontrollin mbi veten.

 

9. Mos urrej

Po, ndoshta tingëllon e çuditshme, por është efektive. Në vend që të lutesh për hakmarrje ose të lëndohet si ty, imagjinoje personin në një dhomë të ndritshme, të mbushur me dritë. Kjo teknikë të ndihmon të largosh mllefin dhe të rifitosh qetësinë tënde.

10. Merr frymë thellë 

Kur emocionet na “mbysim”, frymëmarrja bëhet e vështirë dhe trupin e pushton tensioni. Provo këtë: sa herë ndjen që po mendon sërish për atë person, ndalo gjithçka dhe përqendrohu në frymëmarrje për 90 sekonda. Ky moment i vogël vetëdijeje mund të ndryshojë të gjithë ditën tënde.

Jemi të bindur se në çdo grup vajzash ekziston kjo lloj shoqeje

 

Ajo është shoqja që gjithmonë merr nismën për të propozuar daljen tonë të radhës në bisedën e grupit.

 

Bëhet fjalë për atë shoqe që telefonon restorantin për të rezervuar një tavolinë për katër, ose që na shkruan për të pyetur nëse fëmija ynë është shëruar nga gripi apo si shkoi intervista e punës.

 

Çdo grup shoqëror ka “nënën” e vet: atë anëtare që na mban të bashkuar, sepse, pa të, grupi ndoshta do të ishte shpërbërë. Jo se nuk e duam njëra-tjetrën, por sepse s’do të kishim kohën, vëmendjen, energjinë apo dhe ndjeshmërinë që ka ajo.

 

“Është një nga rolet më të zakonshme në miqësi,” thotë psikologia klinike Christina Ferrari në një artikull të botuar së fundmi në revistën Self. Edhe pse kontributi i saj shpesh mbetet në hije, mjafton që ajo të mungojë për pak, për shkak të ngarkesës në punë apo një problemi personal, dhe menjëherë kuptojmë sa e rëndësishme është për ne.

 

Po si ta dallojmë “nënën” e grupit tonë, apo nëse ndoshta jemi vetë ne ajo? 

 

 

Revista Self përmend disa tipare të përbashkëta:

 

  • Merr nismën për të organizuar çdo takim: Nuk mjaftohet duke thënë në mënyrë të paqartë “duhet të mblidhemi ndonjë ditë”, por e bën realitet. Gjen vendin ideal, barin apo restorantin e duhur, dhe kujdeset për çdo detaj, qoftë për një takim me tre persona apo një mbledhje me trembëdhjetë vetë.

 

  • Është jashtëzakonisht e kujdesshme: I njeh nevojat tona edhe para se t’i kuptojmë vetë. Qoftë emocionale, qoftë praktike. Mund të sjellë me vete ushqime për të na ndihmuar në ndonjë udhëtim ku të gjithë të tjerët janë të papërgatitur, ose të na trokasë në derë pas një ndarjeje për të na përqafuar pa thënë asgjë.

 

  • Një mike e palëkundur dhe e besueshme: Nëse kemi nevojë për të në orën 2 të mëngjesit, e dimë që do të jetë aty. Nuk do të hezitojë të sakrifikojë gjumin apo kohën e saj personale për të na mbështetur. Nuk e dimë çfarë do të bënim pa të.

 

  • Kujdeset për sigurinë tonë: Ajo që na paralajmëron të mos ngasim makinën kur jemi të lodhura, të shkojmë te mjeku kur kemi temperaturë, apo të pimë pak ujë midis dy koktejve. Mund të na duket e bezdisshme në moment, por të nesërmen i jemi mirënjohëse.

 

Po si ia del? Si arrin ta mendojë gjithçka?


Sepse është “mami” e grupit, me gjithë dashurinë dhe fuqinë që sjell ky rol.

Nëse doni të jetoni më mirë dhe më gjatë, filloni t’i bëni këto 3 gjëra menjëherë

 

Në moshën 25-vjeçare, Emily A. Francis ndodhej në një udhëkryq. Lufta e saj e gjatë me ankthin kishte marrë një kthesë drastike, duke çuar në sulme paniku dhe agorafobi (frikë nga hapësirat publike apo daljet nga shtëpia).

Karriera e saj si trajnere për ushtrime fizike dukej se kishte marrë fund. Si mund të drejtonte një klasë ushtrimesh nëse nuk arrinte të dilte nga shtëpia?
 

E gjendur në këtë situatë, ajo vendosi të përqendrohej te shërimi i plotë i trupit dhe mendjes.

Udhëtimi i saj zgjati shtatë vite,  plot prova, gabime dhe përpjekje. Provoi trajtime mjekësore tradicionale, ndryshime në dietë dhe shumë gjëra të tjera. Çdo hap ishte i domosdoshëm për të gjetur një shërim të vërtetë.

Në fund, ajo gjeti një rrugë që jo vetëm e ndihmoi, por i hapi derën për të ndihmuar edhe të tjerët. Sot, Emily është një eksperte e mirëqenies dhe autore, që ndan përvojën dhe mençurinë e saj me botën.

Sipas saj, nëse dëshiron të jetosh më mirë dhe më gjatë, fillo që sot me këto 3 hapa të thjeshtë, por thelbësorë:

 

  1. Dëgjo sinjalet që të jep trupi yt

Të gjithë kemi momente në jetë që do të donim t’i harronim. Dhe ndonjëherë, truri ynë vërtet i “fsheh” ato aq thellë, saqë mezi i kujtojmë. Por, edhe kur mendja i harron, trupi nuk harron kurrë.

 

Studime të neuroshkencës kanë zbuluar se përvojat traumatike apo të dhimbshme mund të ruhen në trup si kujtesë trupore, në inde, nerva apo sinjale të brendshme që “mbartin” pasojat e së kaluarës, edhe kur mendja mendon se ka “shpëtuar” prej tyre.

 

Në një studim mbi terapinë Somatic Experiencing (përjetim trupor), u tregua se rikthimi i lidhjes mendje-trup dhe pranimi i këtyre ndjesive ndihmuan në uljen e simptomave të PTSD-së (çrregullim pastraumatik). E kaluara mund të mbetet e bllokuar në indet e buta të trupit, duke ndikuar në shëndetin tonë sot. Por trupi yt e di si të rikthehet në ekuilibër, thjesht ka nevojë të rikujtohet.

 

Fillo duke i kushtuar vëmendje sinjaleve të trupit. Me kalimin e kohës, do të mësosh t’i dallosh, si ato pozitive, ashtu edhe ato paralajmëruese. Këto sinjale do të të udhëheqin drejt një mënyre jetese më të shëndetshme.

 

 

  1. Ji i hapur ndaj mënyrave të ndryshme të shërimit

Pavarësisht se me çfarë po përballesh tani, është e rëndësishme të kujtosh: ka më shumë se një rrugë për t’u shëruar. Emily ishte e gatshme të provonte qasje të ndryshme dhe beson se çdo njeri ka një udhëtim unik drejt shërimit. Ajo të inkurajon të mbetesh i hapur ndaj mundësive.

 

Opsionet janë të shumta: nga mjekësia tradicionale, fizioterapia, këshillimi psikologjik, masazhi, ushqyerja, praktikat shpirtërore, deri tek trajtimet holistike.

 

Për shembull, nëse ndjen dhimbje trupore të vazhdueshme, mund të ndihmosh veten duke ndjekur njëkohësisht seanca me fizioterapist dhe terapist masazhi. Çelësi është të gjesh një kombinim që funksionon për ty. Ky proces kërkon kohë dhe durim, por ti e meriton.

 

 

  1. Kujdesu për vetem

Hapi i fundit është ky: shikoje gjithë veten si një sistem të lidhur.

 

Shërimi i vërtetë dhe afatgjatë kërkon vëmendje në katër fusha: trupi fizik, emocionet, energjia jetësore dhe shpirti. Ndaj, mëso të dallosh mes trurit dhe mendjes.

 

Truri është organi fizik që përpunon informacionin, është si “pllaka bazë” që drejton trupin, duke funksionuar nëpërmjet proceseve kimike. Ndërsa mendja është vendi ku jetojnë mendimet, ndjenjat dhe sjelljet tona. Ky dallim është i rëndësishëm, sepse njëri mund të kërkojë ndërhyrje mjekësore, ndërsa tjetri mund të ketë nevojë për një qasje më shpirtërore apo emocionale.

 

Por të dyja mund të shërohen njëkohësisht.

 

Kërko praktika dhe terapi që adresojnë të katër fushat dhe do të jesh në rrugën e duhur drejt mirëqenies së plotë.

 

Të punosh shumë nuk të garanton sukses nëse nuk ke këto 5 zakone

 

Puna e palodhur shpesh shihet si çelësi përfundimtar drejt suksesit. Por e vërteta është se të punosh më shumë nuk do të thotë gjithmonë të punosh më mençur. Mund të kalosh orë të tëra duke u përpjekur dhe sërish të ndihesh sikur nuk po ecën përpara.

Suksesi nuk varet vetëm nga përpjekja, por edhe nga struktura: si menaxhon kohën, si fokuson energjinë dhe si krijon zakone që të çojnë përpara.

Sipas ekspertëve të produktivitetit, rezultati vjen nga rutina e qëndrueshme, që të ndihmon të jesh efikas.

 

Më poshtë janë 5 zakone produktiviteti që e kthejnë punën e palodhur në sukses të vërtetë:

 

 

1. Fillo ditën me qartësi, jo me kaos

 

Mënyra se si e nis ditën ndikon në gjithë vazhdimin e saj. Nëse fillon me email-e apo rrjete sociale, futesh në një gjendje reaktive, jo proaktive. Njerëzit produktivë i marrin disa minuta në mëngjes për të planifikuar prioritetet. Identifikojnë një apo dy detyrat më të rëndësishme dhe angazhohen t’i përfundojnë ato para çdo gjëje tjetër.

Nuk bëhet fjalë për një listë të gjatë, por për të ditur çfarë ka vërtet rëndësi.

 

Edhe vetëm pesë minuta planifikim me fokus mund të të kursejnë orë të humbura gjatë ditës.

 

 

2. Ndaj punën në periudha kohore me fokus të plotë

 

Puna pa ndalesë sjell lodhje, shpërqendrim dhe atë që quhet “djegie emocionale”. Një nga teknikat më efektive është ndarja e kohës në periudha të caktuara për një detyrë të vetme. Kjo metodë rrit përqendrimin.

Qoftë me sesione 25-minutëshe apo me blloqe 90-minutëshe, çelësi është te qëndrueshmëria. Kur ke një afat të caktuar, truri bëhet më efikas natyrshëm. Studimet psikologjike tregojnë se fokusi i kufizuar në kohë nxit motivimin dhe angazhimin.

 

Pak minuta me përqendrim të plotë vlejnë më shumë se orë me shpërqendrim.

 

 

3. Shmang lodhjen nga vendimmarrja sa më herët

 

Çdo vendim i vogël, çfarë të veshësh, çfarë të hash, kur të përgjigjesh, konsumon energji mendore.

 

Duke thjeshtuar rutinën tënde, ruan fokusin për gjërat që vërtet kanë rëndësi. Njerëzit e suksesshëm shpesh përdorin sisteme që ulin vendimet e panevojshme. Kjo mund të nënkuptojë përgatitje të vakteve paraprakisht, automatizim të pagesave, ose një rutinë të qëndrueshme në mëngjes.

 

Çdo vendim i shmangur është një shpërqendrim më pak. Deri në mesditë, kur shumica fillojnë të ndihen të lodhur, ti ende do kesh qartësi mendore.

 

 

4. Jepi pushimit po aq rëndësi sa edhe punës

 

Të punosh pandërprerë nuk është produktive, përkundrazi, është kundërproduktive.

 

Truri ka nevojë për pushim që të funksionojë në maksimum. Studimet tregojnë se pushimet përmirësojnë kujtesën, kreativitetin dhe zgjidhjen e problemeve. Pushimi nuk është shpërblim, por pjesë e domosdoshme e procesit.

 

Qoftë një shëtitje e shkurtër, meditimi, apo një gjumë cilësor, truri yt ka nevojë të “riprogramohet”. Pa pushim, edhe punëtori më i zellshëm arrin një pikë ku nuk mundet më.

 

 

5. Mbaje hapësirën e punës të organizuar 

 

Një hapësirë e çrregullt sjell një mendje të çrregullt. Kaos fizik = stres dhe shpërqendrim.

 

Mbajtja e ambientit të pastër sjell qartësi mendore. Nuk kërkohet sterilitet apo minimalizëm ekstrem, por vetëm që çdo gjë në tavolinën tënde të ketë një funksion. Kur ulesh për të punuar, duhet të ndihesh i qetë dhe i përqendruar, jo i hutuar. Mjedisi ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e të menduarit.

 

Do habitesh sa më shpejt përfundon detyrat kur mendja jote nuk është e ndarë në dhjetë drejtime.

 

Aftësia më e rëndësishme në marrëdhënie që askush nuk na e mëson

 

Në çdo lloj marrëdhënieje, qoftë ajo romantike, miqësore, familjare apo profesionale, ka momente kur ndiejmë shqetësim, zemërim ose lëndim. Diçka na prek, na nxit dhe na shtyn të reagojmë. Shpesh, reagimi ynë është automatik: të tërhiqemi, të sulmojmë apo të mbrohemi. Dhe sa më e afërt të jetë lidhja me tjetrin, aq më i fortë është reagimi.

 

Por çfarë do të ndodhte nëse, përpara se të themi apo të bëjmë diçka, thjesht ndalemi për një çast dhe mendojmë?

 

Kjo aftësi, të ndalemi përpara se të reagojmë, është ndoshta një nga mjetet më të fuqishme që kemi në marrëdhëniet tona. E megjithatë, është ndër më të pamësuarat. Askush nuk na mëson si të dallojmë mendimet që na pushtojnë, si ta ndajmë ndjesinë nga realiteti, apo si t’i japim vetes pak hapësirë për të kuptuar çfarë po ndodh brenda nesh.
Por pikërisht aty qëndron ndryshimi mes një konflikti që na largon dhe një konflikti që sjell mirëkuptim.

 

A mund të ndikojë kaq shumë një veprim i vogël, si ndalimi për disa sekonda për të reflektuar, në rrjedhën e një marrëdhënieje?

 

Po, absolutisht. Sepse në ato pak sekonda pauze, mund të pyesim veten:

 

“Çfarë më shqetëson realisht tani? A është me të vërtetë ajo që u tha, apo ka diçka më të thellë që më trazon?”

 

Duke e bërë këtë, mund të zgjedhim një mënyrë tjetër për të reaguar, jo nga dobësia, por nga vetëdija. Mendoni sa herë kemi lënduar dikë vetëm sepse reaguam në mënyrë impulsive. Ose sa herë kemi menduar se tjetri nuk na kupton apo nuk i intereson për ne, kur në të vërtetë ne kishim nevojë të ndanim diçka më të ndjeshme, më të thellë.

Të ndalemi nuk do të thotë të shtypim ndjenjat tona. Përkundrazi, do të thotë t’i japim vetes hapësirë që të shprehemi në mënyrë të sinqertë, jo të dhunshme apo impulsive, duke thënë edhe gjërat që nuk i mendojmë, vetëm për të lënduar palën tjetër.

 

Kur mësojmë të ndalemi, të vëzhgojmë dhe të kuptojmë çfarë ndiejmë dhe përse, ne ndërtojmë marrëdhënie më të shëndetshme dhe më të mbështetura në empati.
Prandaj, herën tjetër që ndiheni të acaruar dhe të tunduar të thoni diçka që mund të lëndojë, ndaloni. Merrni frymë thellë. Mendoni edhe një herë.
Sepse ndoshta, kjo pauzë e vogël mund të shmangë një krisje të marrëdhënies me dikë që ka rëndësi për ju.

9 gjëra që klasa e mesme blen, por të pasurit e vërtetë i shmangin

 

Në botën e konsumit modern, shpesh duket sikur “suksesi” matet me mënyrën si shfaqemi, jo me atë që zotërojmë në të vërtetë. Por pas një vëzhgimi më të thellë, bëhet e qartë se zakonet e shpenzimit të klasës së mesme dhe të pasurve ndryshojnë rrënjësisht. Nuk ka të bëjë vetëm me sa para ke, por me mënyrën si i përdor ato.

 

Më poshtë janë 11 lloje shpenzimesh që klasa e mesme shpesh i konsideron si domosdoshmëri apo simbole statusi, ndërsa të pasurit e vërtetë i shmangin.

 

1.Makina luksoze të reja

 

Një makinë luksoze e re është si një investim që humb vlerë sapo del nga  ‘showroom’-i.

 

Të pasurit nuk bien pre e kësaj loje, përveç nëse janë pasionantë të makinave. Ata preferojnë modele të përdorura. Ose thjesht zgjedhin makina të thjeshta dhe të besueshme, teksa investojnë diferencën në asete që shumëfishojnë vlerën.

 

2. Rroba me logo

 

Klasa e mesme blen logon. Të pasurit blejnë materialin.

 

Ata njohin rëndësinë e pambukut cilësor, leshit të mirë dhe prerjeve që i rezistojnë kohës. Nuk ka nevojë për emra të mëdhenj që bërtasin nëpër rroba. Kur blejnë markë të njohur, zgjedhin pjesë klasike që mbahen për dekada, jo një xhaketë me monogram që del nga moda sezonin tjetër.

 

3. Abonime që harrohen

 

Tre platforma streaming që nuk i hap kurrë. Katër aplikacione fitnesi. Kjo është rrjedhje e vazhdueshme parash.

 

Të pasurit rishikojnë abonimet çdo tre muaj dhe mbajnë vetëm ato që kursejnë kohë, përmirësojnë shëndetin, ose sjellin kënaqësi reale. Pjesa tjetër eliminohet. Një test i thjeshtë: nëse nuk kujton dot herën e fundit që e ke përdorur një aplikacion, atëherë po humbet para kot.

 

4. Rinovime kuzhine për t’ia rritur vlerën në treg

 

Të gjithë duam një kuzhinë të bukur, por edhe më shumë duam që ajo të përdoret vërtet për gatim.

 

Klasa e mesme shpenzon 60,000 dollarë për një “makeover”, pastaj porosit ushqim katër herë në javë. Të pasurit rinovojnë sipas nevojave të jetës së tyre: ndriçim më i mirë, hapësira praktike, sobë cilësore nëse gatuajnë vetë, materiale që ia vlejnë.

 

Funksionaliteti sjell kthimin më të mirë të investimit, jo pllakat e murit që janë në modë vetëm për një sezon.

 

5. Pajisje kuzhine për një funksion

 

Pajisje për një funksion të vetëm që mbushin kuzhinën kot.

 

Të pasurit zgjedhin disa mjete cilësore, me shumë funksione, një thikë profesionale, enë të mira, funksionale dhe aq. 

 

6. Telefona të rinj çdo vit

 

Kamerë e re, jetë e njëjtë. Klasa e mesme ndjek kalendarin e marketingut. Të pasurit e ndërrojnë telefonin vetëm kur nuk është më funksional.

 

Shpesh një bateri e re, pastrim nga aplikacionet e panevojshme dhe pak kujdes rikthen shpejtësinë e telefonit. Ato 1000 dollarë? Më mirë investojini në gjëra më fitimprurëse.

 

7. Shpenzime të tepërta

 

Klasa e mesme ndjek oferta me kredi për të përfituar pikë, pastaj ngec në borxhe. Të pasurit kanë 1 ose 2 karta premium të përshtatura me shpenzimet reale dhe i paguajnë plotësisht çdo muaj.

 

8. Pushime dhe dasma të financuara me kredi

 

Kujtimet janë të paçmueshme, derisa të vijë fatura me interes.

 

Klasa e mesme financon udhëtime dhe dasma me justifikimin “e meritojmë”. Të pasurit planifikojnë herët, kursejnë ngadalë dhe i përshtatin ëndrrat me buxhetin real. Ka një luks të heshtur në pushimet e paguara: bën qejf pa frikë.

 

9.Mobilje në modë dhe dekor që ndryshon çdo sezon

 

Të pasurit zgjedhin forma klasike, materiale të qëndrueshme si druri i vërtetë dhe baza neutrale. Personalitetin e shtojnë me art dhe tekstile që mund të ndryshohen pa shumë lodhje.

 

Më mirë të riparosh një mobilje cilësore sesa të blesh një të dobët. E njëjta logjikë si në biznes: bërthamë e fortë, fleksibilitet në detaje.

Nëse keni miq kokëfortë, me siguri i përkasin njërës nga këto 4 shenja

 

Nëse ndonjëherë ke takuar dikë aq intimidues sa të dukej paksa i frikshëm, por njëkohësisht aq i besueshëm sa do t’ia lije jetën në dorë pa hezitim, ka shumë gjasa të ketë qenë një nga këto 4 shenja.

Më poshtë do të flasim pikërisht për shenjat fikse: Demi, Luani, Akrepi dhe Ujori. Edhe pse në pamje të parë mund të duken shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri, këto katër shenja kanë më shumë të përbashkëta sesa mund të mendohet.

 

Demi 

Shenja e dytë e zodiakut, që vjen pas Dashit dhe përfaqëson mesin e pranverës. Përfaqësuar nga Demi, kjo shenjë njihet për etikën e fortë të punës, qasjen praktike ndaj jetës dhe natyrën e saj të vendosur (në rastin më të mirë) apo kokëfortë e dembele (në rastin më të keq). Si një shenjë toke e sunduar nga planeti i Afërditës, Demi ka një shije të hollë për gjërat e bukura dhe luksoze të jetës: veshjet cilësore, ushqimet e shijshme dhe çdo gjë që e kënaq.

 

Luani

Përfaqësues i kulmit të verës dhe sunduar nga Dielli, Luani është mbretëresha apo mbreti i zodiakut. Plot besim, karizëm dhe pasion, Luanët janë ambiciozë dhe e bëjnë çdo gjë me stil. E duan vëmendjen, por janë gjithashtu bujarë, të ngrohtë dhe zakonisht shumë miqësorë. Ndërkohë që shfaqin vetëbesim dhe krenari, ata kanë një anë tradicionale që vlerëson stabilitetin dhe besnikërinë.

 

Akrepi 

Akrepi përfaqëson mesin e vjeshtës dhe ka gjithmonë atë atmosferën misterioze të sezonit të errët. I sunduar nga Plutoni, planeti i transformimit dhe rilindjes, Akrepi është shenja që përballon emocionet më të thella dhe më të errëta. Si shenjë uji, është shumë intuitiv dhe emocional, por ndonjëherë mund të ngecë në ndjenja obsesive, posesive apo xheloze. Megjithatë, në anën e tij më të mirë, Akrepi është krijues, pasionant dhe i aftë të përballet me çdo sfidë  me guxim.

 

Ujori

Ujori është shenja që mbyll këtë katërshe dhe përfaqëson mesin e dimrit. I sunduar nga Urani, planeti i revolucionit dhe inovacionit, Ujori është ndoshta më shenja më unike nga të gjitha. Ka një mendje të hapur, shpesh e çuditshme për të tjerët, por gjithmonë në kërkim të përparimit dhe ndryshimit. Si shenjë ajri, është intelektual dhe analitik, por natyra fikse i jep një kokëfortësi të papritur. Ujori është progresist, por nuk lëshon pe kollaj, çka e bën ideal për të nisur ndryshime reale në botë.

Nëse je rritur në një familje të rreptë, do e gjesh veten në këto 8 situata të pakëndshme

 

Të rritesh në një shtëpi të rreptë gjatë viteve ’70, ’80, dhe jo vetëm, ka lënë gjurmë të thella te shumë prej nesh. Në atë kohë, prindërit sundonin me dorë të hekurt. Motoja ishte e qartë: fëmijët duhej të shiheshin, jo të dëgjoheshin. Nuk kishte shumë hapësirë për shprehje emocionale, e aq më pak për të vënë në dyshim autoritetin e tyre.

Tani që kanë kaluar disa dekada, shumë prej nesh ende jetojmë me jehonat e heshtura të atyre rregullave të fëmijërisë, thjesht në forma më të rafinuara, në versionin tonë të rritur.

Le të përshkruajmë disa prej zakoneve që mund të kenë mbetur pjesë e përditshmërisë sonë dhe si mund t’i zbusim ndikimet e tyre.

 

1) Kërkon ndjesë për gjithçka

E ke kapur veten duke thënë “Më fal” kur përplasesh me dikë në supermarket, edhe pse ishte faji i tyre?

Nëse po, ndoshta është sepse je rritur në një shtëpi ku perfeksioni dhe mirësjellja ishin të padiskutueshme.

Në të vërtetë, nuk ishte thjesht kërkim ndjese, ishte mënyrë për të ruajtur paqen, për të shmangur ndëshkimin dhe për të mos dalë “i/e pafytyrë”.

Por ja ku qëndron problemi: të kërkosh ndjesë për gjithçka nuk të bën më të dashur për të tjerët, përkundrazi, mund të të bëjë të dukesh i/e pasigurt, edhe kur nuk ke bërë asgjë të gabuar.

Provo këtë ndryshim të vogël: në vend që të thuash “Më fal që u vonova”, thuaj “Faleminderit që pritët.”
Ndryshim i vogël. Ndikim i madh.

 

2) Pushimi të duket si dembelizëm

Në shumë familje të rrepta, puna e palodhur ishte pothuajse ligj. Një sy gjumë gjatë ditës? “Po humbet ditën kot!”

Por ja e vërteta: pushimi nuk është luks, është nevojë. Të dielave nuk po dembelizohesh, po “rikarikohesh” për një tjetër javë plot përgjegjësi.

 

3) E ke të vështirë të marrësh vendime pa aprovimin e dikujt tjetër

Nëse çdo hap i jot dikur është kontrolluar nga prindërit, që nga rrobat që vishje, deri te miqtë që zgjidhje, është logjike që tani, si i rritur, të ndihesh i pasigurt kur duhet të marrësh vendime vetë.

Fillo me vendime të vogla: zgjidh restorantin. Vish xhaketën që do. Thuaje mendimin tënd. Sa më shumë t’i japësh vetes leje për të zgjedhur, aq më shumë rritet vetëbesimi yt.

 

 

4) Konfliktin e shmang si të ishte fundi botës

Në një shtëpi të rreptë, kundërshtimi shihej si mungesë respekti. Kështu që mësuam të heshtim dhe të biem dakord, edhe kur nuk ishim.

Por shmangia e konfliktit nuk i zgjidh problemet, thjesht i zmaedhon.

Sot, mësimi është ky: mund të jesh i sjellshëm dhe i sinqertë. Të dyja janë të mundura.

 

5) E mbivlerëson rregullin dhe strukturën

Nëse je rritur me rregulla të forta, është e kuptueshme që sot të ndihesh më i/e sigurt nëse i planifikon gjërat.

Por ka bukuri edhe në kaos. Provo ndonjë herë të thyesh një “rregull” të vogël: ha ëmbëlsirën para darkës. Lëre palestrën dhe dil për një shëtitje nën shi. Ndoshta zbulon një anë të re të vetes.

 

6) Nuk shpreh dot emocionet

Në ato kohë, shumë prindër nuk kishin fjalor emocional. Lotët ishin “drama”, zemërimi ishte “mungesë edukate” dhe trishtimi përfundonte me “je mirë, s’ke asgjë, mos bëj kot”.

Mësuam të mbyllemi në vetvete, por kjo nuk na ndihmon në marrëdhëniet e rritura.

Provo të ndalesh dhe të pyesësh veten: “Si po ndihem vërtet?” Edhe vetëm emërtimi i ndjenjave është hap i madh përpara.

 

7) E ke vështirë të kërkosh ndihmë

Shprehjet si “Mos ki nevojën e askujt” ose “Ti e ke fajin për çdo gjë që të ndodh” kanë formuar një brez që i bën ballë gjithçkaje vetë.

Por mbështetja është ajo që krijon lidhje. Të kërkosh ndihmë nuk është dobësi, është akt force dhe besimi.

Herën tjetër që dikush të ofron ndihmë, thuaj “po”. Jo sepse s’je i aftë, por sepse nuk je vetëm.

 

8) E ke frikë dështimin më shumë se ç’duhet

Nëse çdo gabim në fëmijëri shoqërohej me turp ose kritikë, është normale që tani të kesh frikë të rrëzohesh.

Por dështimi nuk është fundi i botës, është mësim.

Askush nuk rritet duke luajtur vetëm në zona të sigurta. Nëse do të rritesh, duhet të lejosh veten të gabosh.

Vampirët emocionalë janë realë: Si t’i dalloni dhe të ruani energjinë tuaj

 

Në filmat horror, është zakonisht e lehtë të dallosh një vampir: ai nuk ka reflektim, shmang hudhrën, i trembet diellit dhe fle në arkivole. Por si e dallon një vampir që nuk ushqehet me gjak, por me energjinë tënde?
Po flasim për vampirët emocionalë.

Këta “vampirë” mund të jenë kudo dhe mund të jenë çdokush. Janë ata njerëz që, sapo ndahesh prej tyre, të lënë të rraskapitur emocionalisht e fizikisht. Mund të jenë partneri/ja yt, miku/mikja më e ngushtë, kolegu/kolegia në punë, apo edhe fqinji yt.

Të mësosh si t’i dallosh dhe si t’i përballosh këta persona është çelësi për të mbrojtur energjinë tënde dhe për të shmangur lodhjen emocionale, e cila shpesh manifestohet edhe fizikisht.

 

Si t’i dallosh vampirët emocionalë?

 

Të gjithë kemi pasur të bëjmë me ta në një moment të jetës sonë. Është ai kolegu që flet pa pushim vetëm për veten. Ai i njohuri që, edhe pas një bisede të shkurtër, të lë të hutuar. Apo ai tipi në zyrën ngjitur që nuk ndalet së ankuari për çdo gjë, edhe për gjërat më të parëndësishme. Dhe ti mbetesh me më pak kohë, më pak durim dhe shumë më pak energji.

Si e kupton që sapo ke pasur të bësh me një vampir emocional?

Sipas psikiatres dhe autores Judith Orloff, ndjesitë që mund të përjetosh janë:

 

  • Sy të rënduar, sikur mezi i mban hapur
  • Rënie humori pa ndonjë arsye të qartë
  • Dëshirë e papritur për ushqime jo të shëndetshme
  • Rritje të ndjesisë së ankthit, stresit apo edhe trishtimi
  • Një ndjesi e përgjithshme melankolie dhe lodhjeje të brendshme

 

5 hapa për t’u mbrojtur nga vampirët emocionalë

 

1.Zgjidhni empatinë

Reagimi yt i parë mund të jetë t’i injorosh ose të largohesh prej tyre. Kjo funksionon nëse nuk ke ndërmend t’i shohësh më. Por kur bëhet fjalë për dikë që është pjesë e përditshmërisë tënde, si një koleg, ekspertët sugjerojnë një qasje më të balancuar: tregohu empatik.
Shpesh, sjelljet dramatike apo egoiste vijnë nga pasiguritë dhe stresi që ata vetë po përjetojnë. T’i kuptosh këto prapaskena mund të të ndihmojë të ruash qetësinë dhe të krijosh distancë emocionale pa e prishur marrëdhënien.

 

2.Riorientimi i bisedës

Të gjithë ankohemi ndonjëherë, kjo është normale. Por vampiri emocional nuk kërkon zgjidhje, kërkon vëmendje të pafundme.

Psikologu Daryl Appleton sugjeron: në vend që ta ushqesh këtë sjellje, përpiqu ta drejtosh butësisht nga një qasje më konstruktive.

Për shembull, nëse një koleg ankohet vazhdimisht për dikë tjetër në punë, mund t’i thuash:

“E kuptoj që kjo është e vështirë. Ke menduar çfarë hapash mund të ndërmarrësh?” Ose: “A ke folur ndonjëherë drejtpërdrejt me atë person për këtë situatë?”

Ky lloj reagimi i kujton atij që ka fuqi të ndryshojë diçka, në vend që të zhytet në negativitet.

 

3.Mos e ushqe bishën

Është tundim të pohosh me kokë e të tregohesh pajtues vetëm që ta përfundosh bisedën sa më shpejt. Por kujdes, kjo sjellje i bën të ndihen të justifikuar dhe i nxit të rikthehen edhe më shpesh.

Në vend të kësaj, ruaje distancën emocionale. Mos ia jap vëmendjen dhe dramën që kërkon. Kjo nuk është mungesë respekti, është vetëmbrojtje.

 

4.Vendos kufij të qartë dhe të qëndrueshëm

Empatia nuk do të thotë të lejosh veten të rraskapitesh. Vendos kufij dhe mbaji ato.
Shembull: nëse e di që dikush ka tendencë të flasë pa fund, mund të thuash që në fillim të bisedës:

“Kam vetëm 10 minuta kohë për të folur sot.”

Më pas, përmbaju kësaj.

 

5.Përqendrohu te kujdesi për veten

Qëllimi i të gjitha këtyre hapave është i thjeshtë: të ruash veten, shëndetin tënd mendor, emocional dhe kohën tënde.
Nëse ndihesh rehat, është në rregull t’i tregosh një vampiri emocional se ke nevojë për hapësirë, me mirësjellje.