
Dy persona janë arrestuar në lidhje me grabitjen e ndodhur të dielën e kaluar (19 tetor) në muzeun e Luvrit në Paris, ku një grup i përbërë nga katër burra vodhi bizhuteri mbretërore me vlerë rreth 88 milionë euro (76 milionë paund), sipas medieve franceze.
Prokuroria e Parisit konfirmoi të dielën se një burrë ishte ndaluar nga njësia e Krimit të Organizuar rreth orës 22:00 të mbrëmjes së 25 tetorit në aeroportin “Charles de Gaulle” në Paris, por nuk dha detaje për numrin e saktë të arrestimeve.
Prokurorja Laure Beccuau tha në një deklaratë:
“Më vjen keq për rrjedhjen e parakohshme të informacionit. Kjo mund të pengojë punën e mbi 100 hetuesve të angazhuar për të rikuperuar bizhuteritë e vjedhura dhe për të kapur të gjithë autorët”.
Ajo theksoi se ishte ende herët për të dhënë më shumë detaje, por do të bënte një deklaratë të re sapo të përfundonte periudha e ndalimit para ngritjes së akuzave. Sipas ligjit francez, personat e dyshuar për krime të rënda mund të mbahen në paraburgim deri në 96 orë përpara se të akuzohen.
Disa medie franceze, raportuan se burri i ndaluar në aeroport ishte gati të hipte në një avion për në Algjeri, ndërsa i dyti u arrestua më vonë gjatë së njëjtës ditë, Parisi. Të dy burrat, rreth të tridhjetave dhe të njohur nga policia, u morën në pyetje nën dyshimin për “vjedhje të organizuar dhe komplot kriminal”.
Radioja “France Inter”, duke cituar burime policore, raportoi se të dy ishin identifikuar përmes analizave forenzike të objekteve të lëna në vendngjarje, mes tyre një helmetë, mulli elektrik, jelek reflektues dhe sende të tjera.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, shprehu “urimet më të përzemërta” për hetuesit, por kërkoi që të respektohen ligjet e fshehtësisë gjyqësore, në mënyrë që hetimet të mund të vazhdojnë pa pengesa.
Beccuau deklaroi të premten se më shumë se 150 mostra ADN-je, gjurmë gishtash dhe prova të tjera po analizoheshin në Paris dhe në laboratorë përreth dhe se ajo ishte “optimiste” për rezultatin e hetimeve.
Katër burrat kishin mbërritur jashtë muzeut më të vizituar në botë rreth orës 09:30 të mëngjesit të dielës së kaluar, me një kamion të vjedhur për transport mobiliesh, i pajisur me shkallë dhe ngritës mekanik. Të veshur me jelekë reflektues për t’u dukur si punonjës mirëmbajtjeje, ata thyen një dritare të pasiguruar dhe përdorën sharra rrethore për të hapur dy dritare, përpara se të zbrisnin me ngritësin dhe të arratiseshin me motoçikleta, të drejtuara nga dy bashkëpunëtorët e tjerë.

Operacioni zgjati më pak se 7 minuta, me dy hajdutët që hynë në galeri duke kaluar vetëm 3 minuta e 58 sekonda brenda saj. Gjatë arratisjes, ata rrëzuan një kurorë të stolisur me diamante dhe smeralde, por u larguan me tetë objekte të tjera të mbushura me gurë të çmuar.
Ndër sendet e grabitura ishin një varëse me smeralde dhe diamante që Napoleoni I i kishte dhuruar gruas së tij të dytë, Marie Louise, si dhe një diademë me 212 perla dhe gati 2,000 diamante, që dikur i përkiste perandoreshës Eugénie, bashkëshortes së Napoleonit III.






