Fashion

Frymëzoi një brez të tërë: Ndërron jetë stilistja legjendare Melanie Ward

 

Stilistja dhe redaktorja e njohur e modës, Melanie Ward, ka ndërruar jetë pas një beteje të vështirë me kancerin, sipas një njoftimi në llogarinë e saj zyrtare në Instagram.

 

E lindur në Londër, Ward ishte një nga figurat më me ndikim të modës së viteve ’90. Ajo u bë e njohur për rolin e saj vendimtar në formësimin e estetikës “grunge” të asaj dekade dhe për bashkëpunimin e ngushtë me Helmut Lang.

 

Karrierën e nisi në Londër, duke punuar me fotografë si David Sims dhe Corinne Day, teksa ishte pjesë e brezit që solli një frymë të re në modë, duke ndihmuar modelet e reja tw nisnin karrierën, si Kate Moss, të cilën e njohu që në moshën 15-vjeçare. Stili i saj binte në sy për thjeshtësinë, natyralitetin dhe aftësinë për të përmbysur rregullat e modës së lartë me një qasje autentike.

Në vitin 1995, Ward u zhvendos në Shtetet e Bashkuara, ku mori detyrën e Redaktores së Lartë të Modës në Harper’s Bazaar, post që e mbajti për 14 vjet. Ajo ka qenë gjithashtu konsulente për Karl Lagerfeld (2005–2006) dhe ka bashkëpunuar me Calvin Klein e Jil Sander, duke pasur një ndikim të fortë në modën ndërkombëtare.

 

E diplomuar në Universitetin e Londrës dhe në Central Saint Martins, ku koleksioni i saj i diplomimit u vlerësua si më i miri në kategorinë e Veshjeve të Ditës, Melanie Ward mbeti aktive deri në fund, ndërsa puna e saj e fundit ishte fushata e Dior Men për vjeshtë/dimër 2025, e lançuar në gusht.