
Kim Kardashian festoi 45-vjetorin dhe premierën e serialit të saj të ri “All’s Fair” në Paris, me një paraqitje që dukej sikur kishte dalë nga një përrallë.
Për këtë rast të veçantë, Kardashian zgjodhi një fustan magjepsës bojëqielli/baby blue, të rikthyer nga arkivat e Dior falë bashkëpunimit me stilisten e saj, Dani Levi. Si një Hirushe moderne, ajo veshi një krijim të John Galliano-s nga koleksioni pranverë/verë 2000.
Fustani, me dekolte të theksuar në formë V, ishte i përbërë nga copa asimetrike pëlhure të qepura në mënyrë mozaike, të zbukuruara me detaje dantelle të stampuara dhe motive gjeometrike që krijonin një efekt vizual tërheqës.
![]()
Në pjesën e pasme, materiali rrinte lirshëm, duke lënë shpinën zbuluar përveç një rripi të hollë që qëndronte mbi shpatulla. Busti ishte i ngushtë, duke theksuar linjat, dhe fustani përfundonte me një prerje në stil sirene, ku një zinxhir i dukshëm në pjesën e përparme shtonte një prekje moderne dhe të guximshme.
Pamja u plotësua me bizhuteri elegante nga koleksioni Serti Sur Vide i markës Repossi dhe flokët e kapur pas në një topuz të ulët e të rregullt, një kombinim i përsosur i klasikës me elementët bashkëkohorë.
