
Qyteti i Terrassas, në verilindje të Katalonjës, Spanjë, ka vendosur të ndalojë përkohësisht adoptimin e maceve të zeza nga strehimoret e kafshëve, si masë parandaluese kundër përdorimit të tyre në rituale ose praktika të dëmshme gjatë periudhës së Halloween-it.
Ndalimi është në fuqi nga 6 tetori deri më 10 nëntor dhe vlen për të gjitha kërkesat për birësim apo kujdestari të maceve të zeza. Sipas shërbimeve lokale të mbrojtjes së kafshëve, qëllimi i këtij vendimi është të mbrojë këto kafshë nga keqtrajtimi apo përdorimi i tyre si objekte “dekorative”.
Zëvendëskryetari i bashkisë, Noel Duque, deklaroi për transmetuesin spanjoll RTVE se çdo vit në këtë periudhë ka një rritje të ndjeshme të kërkesave për të birësuar mace të zeza.
Edhe pse nuk janë regjistruar raste të abuzimit në Terrassa, bashkia thotë se raste të tilla janë raportuar në zona të tjera, dhe paralajmërimet nga organizatat për mbrojtjen e kafshëve e kanë shtyrë qytetin të marrë këtë masë paraprake.
“Po përpiqemi të parandalojmë adoptimet nga persona që veprojnë impulsivisht, thjesht sepse është ‘në modë’. Në raste të tilla, të cilat e dimë se ndodhin, duam të shmangim çdo praktikë makabre,” u shpreh Duque.
Bashkia theksoi se ndalimi është një masë “e përkohshme dhe e jashtëzakonshme”, e ndërmarrë me synimin për të mbrojtur mirëqenien e kafshëve, dhe se nuk përjashtohet mundësia që masa të ngjashme të merren edhe në të ardhmen.
Gjatë periudhës së ndalimit, çdo kërkesë e veçantë për adoptim do të shqyrtohet rast pas rasti nga qendra e birësimit, ndërsa procedura normale e adoptimit pritet të rifillojë pas përfundimit të sezonit të Halloween-it.
Megjithëse në kulturën perëndimore macet e zeza shpesh lidhen me magji dhe supersticion, në kultura të tjera si Japonia dhe Egjipti, ato konsiderohen si simbole të fatit të mirë dhe begatisë.
