
Mbase tanimë e ke një çantë pune mjaftueshëm të madhe dhe të bukur, i ke zëvendësuar atletet me taka të rehatshme për përditshmëri, e ndoshta ke përqafuar edhe rikthimin e kravatës. Por nëse vërtet do ta përvetësosh në thelb estetikën corpcore, trendi që ka pushtuar botën e modës, ka një pjesë veshjeje që s’mund të mungojë: kostumi oversize.

Për sezonin Vjeshtë-Dimër 2025, kostumet oversize dominuan pasarelat, nga Tom Ford te Givenchy, Calvin Klein e Gucci. Por kjo u vu re edhe jashtë sfilatave, në rrugë, ku ky element i modës shkëlqeu më shumë.
Në sy ra edhe Victoria Beckham, e cila u shfaq me një kostum oversize, fillimisht në ngjyrë të zezë, pastaj në gri të hapur dhe në shfaqjen e saj në Javën e Modës në Paris, ajo përfundoi me një kostum, kombinuar me një kanotiere të bardhë.

Kur zgjedh të vishesh me kostume, stili oversize ka gjithmonë më shumë “Cool Girl” efekt sesa variantet e ngushta dhe formale. Harro kostumet blu të errët pa personalitet që i gjen kudo, çelësi është të zgjedhësh prerje unike dhe t’i shtosh aksesorë që tregojnë që je në modë, jo në një mbledhje bordi.

Mendo: një xhaketë oversize me një kanotiere të bardhë, pantallona të gjera dhe një palë taka elegante; ose një kostum me vija të holla gri, mbi një këmishë të bardhë, i kombinuar me çorape dhe mokasina/të sheshta poshtë.

Truket më “in”? Një shpërthim ngjyre i papritur, të kombinosh xhaketën me xhinse dhe atlete, apo të veshësh një kostum pa asgjë poshtë për një pamje më sensuale për në mbrëmje.

Kostumet oversize janë perfekte për atë periudhë kalimtare, kur vjeshta po shkon drejt dimrit, dhe nuk është ende aq ftohtë për pallto, por të duhet pakëz ngrohtësi.
