Lifestyle

Nëse doni të jetoni më mirë dhe më gjatë, filloni t’i bëni këto 3 gjëra menjëherë

 

Në moshën 25-vjeçare, Emily A. Francis ndodhej në një udhëkryq. Lufta e saj e gjatë me ankthin kishte marrë një kthesë drastike, duke çuar në sulme paniku dhe agorafobi (frikë nga hapësirat publike apo daljet nga shtëpia).

Karriera e saj si trajnere për ushtrime fizike dukej se kishte marrë fund. Si mund të drejtonte një klasë ushtrimesh nëse nuk arrinte të dilte nga shtëpia?
 

E gjendur në këtë situatë, ajo vendosi të përqendrohej te shërimi i plotë i trupit dhe mendjes.

Udhëtimi i saj zgjati shtatë vite,  plot prova, gabime dhe përpjekje. Provoi trajtime mjekësore tradicionale, ndryshime në dietë dhe shumë gjëra të tjera. Çdo hap ishte i domosdoshëm për të gjetur një shërim të vërtetë.

Në fund, ajo gjeti një rrugë që jo vetëm e ndihmoi, por i hapi derën për të ndihmuar edhe të tjerët. Sot, Emily është një eksperte e mirëqenies dhe autore, që ndan përvojën dhe mençurinë e saj me botën.

Sipas saj, nëse dëshiron të jetosh më mirë dhe më gjatë, fillo që sot me këto 3 hapa të thjeshtë, por thelbësorë:

 

  1. Dëgjo sinjalet që të jep trupi yt

Të gjithë kemi momente në jetë që do të donim t’i harronim. Dhe ndonjëherë, truri ynë vërtet i “fsheh” ato aq thellë, saqë mezi i kujtojmë. Por, edhe kur mendja i harron, trupi nuk harron kurrë.

 

Studime të neuroshkencës kanë zbuluar se përvojat traumatike apo të dhimbshme mund të ruhen në trup si kujtesë trupore, në inde, nerva apo sinjale të brendshme që “mbartin” pasojat e së kaluarës, edhe kur mendja mendon se ka “shpëtuar” prej tyre.

 

Në një studim mbi terapinë Somatic Experiencing (përjetim trupor), u tregua se rikthimi i lidhjes mendje-trup dhe pranimi i këtyre ndjesive ndihmuan në uljen e simptomave të PTSD-së (çrregullim pastraumatik). E kaluara mund të mbetet e bllokuar në indet e buta të trupit, duke ndikuar në shëndetin tonë sot. Por trupi yt e di si të rikthehet në ekuilibër, thjesht ka nevojë të rikujtohet.

 

Fillo duke i kushtuar vëmendje sinjaleve të trupit. Me kalimin e kohës, do të mësosh t’i dallosh, si ato pozitive, ashtu edhe ato paralajmëruese. Këto sinjale do të të udhëheqin drejt një mënyre jetese më të shëndetshme.

 

 

  1. Ji i hapur ndaj mënyrave të ndryshme të shërimit

Pavarësisht se me çfarë po përballesh tani, është e rëndësishme të kujtosh: ka më shumë se një rrugë për t’u shëruar. Emily ishte e gatshme të provonte qasje të ndryshme dhe beson se çdo njeri ka një udhëtim unik drejt shërimit. Ajo të inkurajon të mbetesh i hapur ndaj mundësive.

 

Opsionet janë të shumta: nga mjekësia tradicionale, fizioterapia, këshillimi psikologjik, masazhi, ushqyerja, praktikat shpirtërore, deri tek trajtimet holistike.

 

Për shembull, nëse ndjen dhimbje trupore të vazhdueshme, mund të ndihmosh veten duke ndjekur njëkohësisht seanca me fizioterapist dhe terapist masazhi. Çelësi është të gjesh një kombinim që funksionon për ty. Ky proces kërkon kohë dhe durim, por ti e meriton.

 

 

  1. Kujdesu për vetem

Hapi i fundit është ky: shikoje gjithë veten si një sistem të lidhur.

 

Shërimi i vërtetë dhe afatgjatë kërkon vëmendje në katër fusha: trupi fizik, emocionet, energjia jetësore dhe shpirti. Ndaj, mëso të dallosh mes trurit dhe mendjes.

 

Truri është organi fizik që përpunon informacionin, është si “pllaka bazë” që drejton trupin, duke funksionuar nëpërmjet proceseve kimike. Ndërsa mendja është vendi ku jetojnë mendimet, ndjenjat dhe sjelljet tona. Ky dallim është i rëndësishëm, sepse njëri mund të kërkojë ndërhyrje mjekësore, ndërsa tjetri mund të ketë nevojë për një qasje më shpirtërore apo emocionale.

 

Por të dyja mund të shërohen njëkohësisht.

 

Kërko praktika dhe terapi që adresojnë të katër fushat dhe do të jesh në rrugën e duhur drejt mirëqenies së plotë.