World

Nga muzika në politikë: Njihuni me kryeministren e parë grua që bëri histori në Japoni

 

Japonia ka përjetuar një moment historik: më 21 tetor, parlamenti i saj zgjodhi kryeministren e parë grua në historinë e vendit. Sanae Takaichi, 64 vjeç, anëtare e Partisë Liberale Demokratike (PLD) të krahut të djathtë, tani i përket krahut konservator dhe e sheh Margaret Thatcher si modelin e saj. 

 

Megjithatë, në të kaluarën ajo ka qenë prezantuese televizive dhe dikur bateriste në një grup heavy metal. Dashuria e saj për muzikën rock dhe metal vazhdon edhe sot e kësaj dite. Ndër grupet e saj të preferuara janë Iron Maiden dhe Deep Purple.

 

Sot, ajo merr përsipër sfidën jo vetëm të udhëheqjes së një partie që po përpiqet të rifitojë besimin e votuesve pas një serie skandalesh, por edhe të një vendi me probleme ekonomike, shkallë të ulët lindjesh dhe tensione gjeopolitike.

 

 

Takaichi lindi në vitin 1961. Babai i saj punonte në zyrë, ndërsa nëna ishte oficere policie. 

 

Udhëtimi i saj politik filloi në vitet 1980, kur punoi në zyrën e demokrates amerikane Patricia Schroeder. Ajo vuri re se amerikanët shpesh nuk dallonin Japoninë nga vendet e tjera aziatike, duke e barazuar kulturën e saj me atë të Kinës apo Koresë. Përfundimi i saj ishte: 

 

“Nëse Japonia nuk e mbron veten, ajo do të jetë gjithmonë në mëshirën e perceptimeve sipërfaqësore të SHBA-së.”

 

Ajo kandidoi për herë të parë si deputete e pavarur në vitin 1992, por humbi. Në vitin 1996 hyri në Parlament, ku ndërtoi reputacionin si një nga zërat më të fortë konservatorë. Po ashtu, ka shërbyer në poste të larta qeveritare, më së shumti si Ministre e Punëve të Brendshme dhe Komunikacionit.

 

Siç tha së fundmi gjatë një vizite në një shkollë si pjesë e fushatës së saj: 

 

“Qëllimi im është të jem Zonja e Hekurt”, duke iu referuar qëndrimit të ashpër dhe të ngurtë politik.

 

Megjithëse zgjedhja e saj është një fitore për politikanet femra, ajo mbështet pikëpamje konservatore, për shembull, është kundër ligjit që lejon gratë të mbajnë mbiemrin e babait pas martesës, duke argumentuar se kjo minon traditën. Gjithashtu është kundër martesave homoseksuale.

 

Por kohët e fundit, Takaichi ka zbutur disi qëndrimet e saj. Ndër premtimet e fushatës janë përjashtimi i pagave të dadove nga taksat dhe ofrimi i lehtësimeve tatimore për kompanitë që ofrojnë shërbime kujdesi për fëmijët për punonjësit e tyre.