
Në filmat horror, është zakonisht e lehtë të dallosh një vampir: ai nuk ka reflektim, shmang hudhrën, i trembet diellit dhe fle në arkivole. Por si e dallon një vampir që nuk ushqehet me gjak, por me energjinë tënde?
Po flasim për vampirët emocionalë.
Këta “vampirë” mund të jenë kudo dhe mund të jenë çdokush. Janë ata njerëz që, sapo ndahesh prej tyre, të lënë të rraskapitur emocionalisht e fizikisht. Mund të jenë partneri/ja yt, miku/mikja më e ngushtë, kolegu/kolegia në punë, apo edhe fqinji yt.
Të mësosh si t’i dallosh dhe si t’i përballosh këta persona është çelësi për të mbrojtur energjinë tënde dhe për të shmangur lodhjen emocionale, e cila shpesh manifestohet edhe fizikisht.
Si t’i dallosh vampirët emocionalë?
![]()
Të gjithë kemi pasur të bëjmë me ta në një moment të jetës sonë. Është ai kolegu që flet pa pushim vetëm për veten. Ai i njohuri që, edhe pas një bisede të shkurtër, të lë të hutuar. Apo ai tipi në zyrën ngjitur që nuk ndalet së ankuari për çdo gjë, edhe për gjërat më të parëndësishme. Dhe ti mbetesh me më pak kohë, më pak durim dhe shumë më pak energji.
Si e kupton që sapo ke pasur të bësh me një vampir emocional?
Sipas psikiatres dhe autores Judith Orloff, ndjesitë që mund të përjetosh janë:
- Sy të rënduar, sikur mezi i mban hapur
- Rënie humori pa ndonjë arsye të qartë
- Dëshirë e papritur për ushqime jo të shëndetshme
- Rritje të ndjesisë së ankthit, stresit apo edhe trishtimi
- Një ndjesi e përgjithshme melankolie dhe lodhjeje të brendshme
5 hapa për t’u mbrojtur nga vampirët emocionalë
1.Zgjidhni empatinë
Reagimi yt i parë mund të jetë t’i injorosh ose të largohesh prej tyre. Kjo funksionon nëse nuk ke ndërmend t’i shohësh më. Por kur bëhet fjalë për dikë që është pjesë e përditshmërisë tënde, si një koleg, ekspertët sugjerojnë një qasje më të balancuar: tregohu empatik.
Shpesh, sjelljet dramatike apo egoiste vijnë nga pasiguritë dhe stresi që ata vetë po përjetojnë. T’i kuptosh këto prapaskena mund të të ndihmojë të ruash qetësinë dhe të krijosh distancë emocionale pa e prishur marrëdhënien.
2.Riorientimi i bisedës
Të gjithë ankohemi ndonjëherë, kjo është normale. Por vampiri emocional nuk kërkon zgjidhje, kërkon vëmendje të pafundme.
Psikologu Daryl Appleton sugjeron: në vend që ta ushqesh këtë sjellje, përpiqu ta drejtosh butësisht nga një qasje më konstruktive.
Për shembull, nëse një koleg ankohet vazhdimisht për dikë tjetër në punë, mund t’i thuash:
“E kuptoj që kjo është e vështirë. Ke menduar çfarë hapash mund të ndërmarrësh?” Ose: “A ke folur ndonjëherë drejtpërdrejt me atë person për këtë situatë?”
Ky lloj reagimi i kujton atij që ka fuqi të ndryshojë diçka, në vend që të zhytet në negativitet.
3.Mos e ushqe bishën
Është tundim të pohosh me kokë e të tregohesh pajtues vetëm që ta përfundosh bisedën sa më shpejt. Por kujdes, kjo sjellje i bën të ndihen të justifikuar dhe i nxit të rikthehen edhe më shpesh.
Në vend të kësaj, ruaje distancën emocionale. Mos ia jap vëmendjen dhe dramën që kërkon. Kjo nuk është mungesë respekti, është vetëmbrojtje.
4.Vendos kufij të qartë dhe të qëndrueshëm
Empatia nuk do të thotë të lejosh veten të rraskapitesh. Vendos kufij dhe mbaji ato.
Shembull: nëse e di që dikush ka tendencë të flasë pa fund, mund të thuash që në fillim të bisedës:
“Kam vetëm 10 minuta kohë për të folur sot.”
Më pas, përmbaju kësaj.
5.Përqendrohu te kujdesi për veten
Qëllimi i të gjitha këtyre hapave është i thjeshtë: të ruash veten, shëndetin tënd mendor, emocional dhe kohën tënde.
Nëse ndihesh rehat, është në rregull t’i tregosh një vampiri emocional se ke nevojë për hapësirë, me mirësjellje.
